Abaz Karakaçi, firma e parë për Luftëtarin në merkato


Luftetari11Nga Thoma Qirjazi

“Jam i bindur që me punën time do t’i kënaq drejtuesit e skuadrës, por dhe tifozët, kurse skuadra jonë do të jetë e fortë si në ndeshjet në transfertë, ashtu dhe në fushën e vet. Kemi lojtar të mirë”

Bluzinjtë e Luftëtarit, nën drejtimin e trajnerit Petraq Bifsha dhe përgatitësit të portierëve Ruzhdi Lamaj, kanë vijuar stërvitjen e tyre me intensitet, çka është normale në këtë periudhë përgatitore të dimrit. Sërish është punuar me dy seanca stërvitore, paradite dhe pasdite, ndërsa gjirokastritët kanë marrë ngarkesën e duhur fizike.

Gjatë stërvitjes së djeshme ra në sy prezenca e sulmuesit të Butrintit, Abaz Karakaçit, si dhe dy të ardhurve nga Greqia, Gentian Xhafaj dhe Daniel Ninos. Dhe prezenca e këtyre tre lojtarëve të rinj duket se ka ngrohur dhe sportdashësit bluzinj, të cilët kanë nisur të besojnë më shumë në mbijetesën e Luftëtarit në Kategorinë e Parë. Dhe pritet që ditën e hënë t’i bashkohet skuadrës dhe Ergys Mersini, i cili në fazën e parë me Dinamon, ndërsa tashmë ka mbyllur të gjitha negociatat me gjirokastritët dhe në vazhdim do të jetë pjesë e Luftëtarit.

Por Luftëtari duket sikur nuk ka të ngopur, sepse deri në fund të tregut të lëvizjeve të gjirokastritëve, të paktën dhe sipas burimeve që vijnë nga bluzinjtë, do të ketë dhe ardhje të tjera për skuadrën e Petraq Bifshës. Pas përfundimit të seancës stërvitore, Gazeta e Sportit ka kontaktuar me Abaz Karakaçin, i cili sapo ka firmosur me Luftëtarin, teksa ka lënë Butrintin e kategorisë së Parë. Me të, duke shtuar dhe Ninon e Xhafajn të ardhur nga Greqia, shkon në tre numri i lojtarëve të ardhur deri më tani te Luftëtari.

Karakaçi, i datëlindjes 25 gusht 1992, dje rreth orës 10:00 ka qenë në zyrën e sekretarit të klubit të Luftëtarit, Arlind Nora, atje ku ka rënë dakord për anën financiare e më pas ka firmosur kontratën që do ta mbajë të lidhur me gjirokastritët deri në fund të sezonit. “E vërteta është se drejtuesit e Luftëtarit më kishin piketuar që pas largimit nga Butrinti. Më bënë ofertën e tyre për të qenë pjesë e gjirokastritëve për fazën e dytë. Kam dy ditë që stërvitem me gjirokastritët dhe të them të drejtën kam gjetur një ambient komod këtu, sepse si drejtuesit, ashtu dhe futbollistët më kanë përkrahur shumë.

Me sa pash, të paktën në këto dy ditë stërvitore me skuadrën, tek grupi i lojtarëve ka harmoni dhe kolektivitet, pasi nuk ka dallime tek asnjë lojtar, ndërsa drejtuesit i shohin të gjithë me të njëjtin sy. Është një nder i madh për mua që për 2014-ën do të luaj me Luftëtarin, sepse është një skuadër me vlera, pavarësisht pozicionit që ka në renditje. Unë kam besim që me punën time do të justifikoj besimin e drejtuesve të këtij klubi. Dhe do ta shlyej gjithçka me punën time në çdo ndeshje. Periudha përgatitore dimërore është duke shkuar mirë, ndërsa dhe terreni ku ne stërvitemi përditë është tepër i përshtatshëm.

Deri në fillim të kampionatit, që nis më 8 shkurt, do të jap më të mirën time pranë këtij ekipi. Sepse fanella që do të mbaj mbi shpinë duhet justifikuar. Dhe nëse një futbollist kënaq drejtuesit e skuadrës, kjo varet vetëm nga puna që bën në stërvitje. Faza e dytë do të jetë tepër e vështirë, sepse janë shumë skuadra, të cilat kërkojnë që t’i largohen vendit të fundit. Jam i mendimit që Luftëtari nuk do të zhgënjejë, por do të krijojë një skuadër, që edhe sportdashësit do t’i kënaqë.

Me grupin që ka, Luftëtari është një ekip që nuk do ta diskutojë mbijetesën. Ka futbollistë me eksperiencë si Nora, Stoja, Zholi, apo dhe mbrojtësi Stojkoviç, që do të thotë se kjo skuadër, me këta lojtar që ka, do t’i japi tonin kampionatit. Do t’i kthejë buzëqeshjen tifozëve, ndërsa me një trajner si Bifsha, Luftëtari do të jetë më mirë në kampionat. Ne do të jemi një skuadër e frikshme në kampionat”, ka thënë Karakaçi.

Komento