Boksi vjen me medalje nga “Adem Jashari” në Gjilan


7af08178-6e8a-4c88-8d58-7a93b9df551f-444x333Nga Gjergj Kola

Katër vende të para për boksierët tanë, ndërsa Asmer Bilali, i peshës 69 kg, ka merituar Kupën si sportisti më i mirë i aktivitetit. Gjithçka vjen pas medaljes së bronztë të Jurgen Uldedajt në Evropianin e të rinjve në Anapa në Rusi

Katër vende të para për boksierët tanë, vendi i parë si ekip dhe kupa e boksierit më të mirë për Asmer Bilalin. Këto janë sukseset e kombëtares shqiptare të boksit në kupën “Adem Jashari”, që u zhvillua këtë fundjavë në Gjilan, në të cilën morën pjesë sportistë nga 10 vende të botës. Finalet e kësaj kupe janë ndjekur nga një numër i madh tifozësh në Pallatin e Sportit të Gjilanit.

Në 9 ndeshjet finale kanë konkurruar 5 boksierë të kombëtares sonë, nga të cilat kanë fituar 4 prej tyre dhe ka humbur Emiliano Çekini. Fitues të vende të para kanë qenë Anxhelo Merkohasanaj në peshën 60 kilogram, Kristian Shytani në peshën 64 kilogram, Asmer Bilali në peshën 69 kilogram dhe Alban Barmeta në peshën 75 kilogram.

Me këto arritje, kombëtarja jonë zuri edhe vendin e para si ekip duke marrë një kupë të veçantë nga organizatorët. Po ashtu, boksieri shkodran Asmer Bilali është vlerësuar si më i miri i turneut, ndërsa Alban Barmeta eshte vlerësuar si boksieri më luftarak. Në deklaratat e tij të para, pas turneut, Bilali është shprehur i kënaqur për këtë sukses.

Po ashtu edhe trajneri i kombëtares sonë, Zef Gjoni, ka vlerësuar arritjet e boksierëve tanë, ndërkohë që presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Gjergj Leqejza, ka thënë se sporti i dorezave në vendin tonë është në rrugë të mbarë, duke qenë dominues në rajon. Në këtë mënyrë, pas suksesit të javës së kaluar në Shkup të Maqedonisë, vjen edhe ky i radhës në Kosovë, ndërkohë që boksieri lezhjan Jurgen Uldedaj është renditur i treti në kampionatin evropian të 16-vjeçarëve në Anapa të Rusisë.

 

Komento