De Biazi: Nordikët i mundim vetëm me 110% të forcës sonë


indexNga Edmond Sufaj

Trajneri italian afron për herë të parë Gjasulën dhe Llulakun. Strategu kërkoi shmangien e euforisë dhe lojë të fortë fizike ndaj Norvegjisë më 7 Qershor, duke i cilësuar si të vetmet armë për sukses  

Shqipëria do të luajë ndaj Norvegjisë më 7 Qershor në “Qemal Stafa”, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit botëror që do të zhvillohet në Brazil. Për këtë ndeshje, Trajneri i skuadrës së Shqipërisë, Xhani De Biazi publikoi 18 emrat e parë të listës së futbollistëve që do të jenë pjesë e skuadrës ndaj nordikëve. Në këtë listë bien në sy dy emra të rinj, Jurgen Gjasula dhe Azdren Llullaku. Ndërsa 8 emrat e tjerë do të publikohen më 3 Qershor. Trajneri italian i dha përparësi shmangies së euforisë në ndeshjen e radhës, por e vlerësoi si aspak përcaktuese për fatet e sezonit në kualifikuese. “Përpara kemi një ndeshje shumë të vështirë ndaj Norvegjisë, por nuk do e cilësoja thelbësore, pasi duke parë peshoren e pikëve, rezultati i saj nuk do të përcaktojë mbi fatet e renditjes dhe objektivat në kualifikuese. Unë kërkoj që t’i japim rëndësinë e nevojshme kësaj ndeshjeje, por nuk duhet të pushtohemi nga euforia e madhe, pasi kjo nuk do të ishte diçka pozitive për skuadrën tonë. Rruga që kemi nisur përpara një viti po shkon në drejtimin e duhur, ku kemi zhvilluar pesë ndeshje zyrtare dhe shtatë miqësore. Në ndeshjet e zhvilluara kemi treguar se e kemi nisur me këmbë të mbarë. Gjithsesi, për të arritur gjëra të mëdha, duhet durim dhe nuk duhet bërë shumë presion mbi këta djem të rinj. Janë lojtarë që kanë dhënë gjithnjë zemrën në fushë për të mbrojtur ngjyrat e Shqipërisë”, tha trajneri i skuadrës së Shqipërisë, duke i dhënë prioritet përqendrimit dhe shmangies së euforisë.

Mungon Kapllani dhe është thirrur Llullaku, pse kjo zgjedhje?

Zgjedhja e Llullakut është bërë, pasi ai mund të luajë në të dyja krahët, kjo si pasojë e aftësive fizike dhe teknike që ai disponon. Ky lojtar mund të luajë në të dyja krahët e sulmit, ku mund të më japë shumë zgjidhje. Duke parë që jemi të kompletuar në sulm me Bogdanin, Salihin dhe Çanin, mendoj se kemi nevojë për lojtarë me karakteristika të ndryshme. Nga lista prej 34 lojtarësh që kishim në fillim, lista është zgjeruar duke shkuar ne 40 lojtarë. Si pasojë e kësaj, zgjedhjet do të shkojnë me ato karakteristika që do të përshtaten me kundërshtarin.

Mungesat e shumta kanë kushtëzuar lojën në krahë. Në këtë sfidë nuk janë thirrur Muzaka, Bakaj dhe Hyka. Pse kjo zgjedhje?

Mungesa e afrimit të Bakajt ka të bëjë me gjendjen e tij fizike, pasi ai vjen nga një dëmtim i rëndë dhe normalisht ka nisur të luajë kohët  e fundit. E njëjta gjë vlen edhe për Hykën, pasi ai vjen pas një periudhe jo të mirë dhe vetëm tani ka nisur të luajë, ku i duhet kohë të rimarrë formën e duhur. Pra, unë kam zgjedhur ata lojtarë që mund të më sigurojnë maksimumin, pra 110% të mundësive në fushën e lojës, pasi është një ndeshje shumë e rëndësishme ku ne duhet të luftojmë fort.

Cila është arma për të luftuar euforinë në këtë sfidë?

Çdo realitet ka dinamikat e saj, kështu që nuk ka ndonjë problem në këtë këndvështrim. Euforia në një këndvështrim të caktuar është pozitive, pasi të jep stimuj. Por ajo nuk duhet të kalojë mbi kufijtë normalë, pasi atëherë nuk të lejon të ecësh me këmbë në tokë. Në ndeshjen e parë, Norvegjia na nënvlerësoi dhe kjo ishte një nga arsyet që ne arritëm të fitonim. Në ndeshjen e dytë janë 30% më të motivuar se në ndeshjen e parë. Për të mundur një kundërshtar duhet të njihen dhe pikat e dobëta, të cilat ne i dimë shumë mirë ndaj Norvegjisë. Shpresoj që gjithçka të flasë për Shqipërinë në këtë sfidë, ku shpresoj që gjithçka të jetë e lehtë në fundin e saj.

Si e justifikoni mungesën e Vangjelit në këtë sfidë?

 Vangjeli nuk është afruar, pasi në një vit kalendarik ka luajtur ekzaktësisht 373 minuta. Ka luajtur një finale ndaj Shaktar Donetsk për 90 minuta dhe vetëm kaq.  Ne e kemi ndjekur vazhdimisht lojtarin dhe kemi diskutuar me të. Edhe kur rrinte në pankinë, Vangjeli duhej të merrte gjilpëra në gju. Kështu mendoj se nuk ka qenë në kushtet ideale për t’u afruan në kombëtare. Edhe për Bakajn është i njëjti shembull. Arapi ka luajtur më shumë se ai dhe më ka dhënë besimin e duhur për ta marrë në skuadër. Në udhëtimet, të cilat janë me mijëra kilometra, ne nuk kemi shkuar për pushime, por për të folur me lojtarët, për t’i vëzhguar ata dhe për të marrë më të mirën në kombëtare. Që një lojtar të jetë pjesë e ekipit, ai duhet të luajë më shumë me klubin dhe të ketë gjendje fizike optimale.

A mendon se mund të përsëritet reminishenca e 1998-ës, ku barazuam në Norvegji dhe u mundëm në Tiranë?

 Ne duhet të mundohemi të ndryshojmë mentalitetin, kjo është kryesorja. Për të arritur më të mirën, ne duhet të rritemi në të gjitha komponentët e mundshëm. Ne po rritemi gradualisht, ku kemi qenë në vendin e 78 dhe tani renditemi në të 43-in, kështu që dy-tre hapa ne i kemi bërë. Në këtë anë ne duhet të vijojmë të ngjitemi gradualisht atje ku duam. Momentalisht duhet të afrojmë lojtarët e duhur në ekip. Edhe në këtë këndvështrim duhet të ndryshojmë, pasi historia ndryshon, koha po ashtu dhe ne nuk duhet të fokusohemi te e kaluara, pasi mua nuk më intereson fakti nëse kemi humbur ose jo në të shkuarën. Ne duhet të përpiqemi të afrojmë lojtarët e duhur, ku kemi mundësi t’i zgjedhim midis 40 lojtarëve që kemi në dispozicion. Kjo është ajo që duhet të mendojmë, pasi gjithçka ka të bëjë me ndryshimin e mentalitetit.

Trajneri i Norvegjisë ka deklaruar se në Shqipëri do të jetë shumë e vështirë për të marrë maksimumin. Ç’koment keni në lidhje me këtë lajm?

Unë e lexoj për ditë median e shkruar, përfshirë këtu edhe atë norvegjeze. Olsen kërkon të karikojë në maksimum lojtarët e tij për këtë përballje. Skuadra jonë nuk duhet të bjerë në kurthin e norvegjezëve. Duhet të jemi shumë të përqendruar në mënyrë që të arrijmë të marrim maksimumin në këtë sfidë.

A keni në mendje ndonje skemë taktike si ajo që prodhoi golin në Norvegji?

Shqipëria duhet të luajë fort dhe e përqendruar fort ndaj Norvegjisë në “Qemal Stafa”. Kjo është skema primare në këtë sfidë, ku duhet shumë kujdes dhe pak eufori.

Pritshmëria dhe besimi i tifozëve është shumë e lartë, ju si do përgjigjeshit?

Duhet të besojmë të gjithë bashkë. Nuk duhet që të varemi nga një humbje apo  një fitore, ashtu siç ndodh zakonisht, ku pas një humbje të largohemi dhe pas një fitoreje afrohemi. Duhet të bëjmë maksimumin në këtë sfidë.

 

Do të kënaqeshit me barazimin në këtë sfidë ndaj nordikëve?

Unë e kam thënë gjithnjë që nuk firmos asnjëherë për rezultatin përpara ndeshjes. Do të më pëlqente të merrja maksimumin në këtë sfidë kaq të vështirë, por edhe të humbja duke zhvilluar një ndeshje si ndaj islandezëve. Gjithsesi, ne duhet të japim 110% nga mundësitë tona në këtë sfidë.

 

Do firmosni për zgjatjen e kontratës nën drejtimin e Shqipërisë?

Për diçka të tillë do të ulemi dhe do të diskutojmë me presidentin e FSHF-së. Do të mjaftonte një dëshirë e dyanshme që kjo gjë të realizohej.

Duka ka deklaruar se është i gatshëm që të ofrojë rinovimin e kontratës.

Jam i informuar nga shtypi për këtë çështje. Sapo e thashë edhe më lart se do të ulemi dhe do të vendosim për të ardhmen.

Po për Lorent Sadikun çfarë po ndodh, a do jetë pjesë e kombëtares për këtë sfidë?

Sadiku është një element me vlera, por duhet një vullnet më i madh që ai të jetë pjesë e kombëtares, kam parasysh këtu realizimin e dokumentacionit, për shkak të cilit mungojnë dhe disa lojtarë të tjerë që mund të afroheshin për këtë ndeshje.

Thatë se duhet të shpresojmë që të mos pushtohemi nga euforia, a duhet të shpresojmë që të mos bien dhe reshje shiu më 7 Qershor, në lidhje me terrenin?

Koha bën punën e saj, ne do të bëjmë punën tonë. Mund të ketë reshje, por mund të jetë dhe kohë shumë e mirë. Gjithsesi, ne duhet të futemi për të marrë maksimumin në fushë pa menduar ndeshjen me Islandën, ku u mundëm edhe për shkak të terrenit të vështirë.

6 Komente

  1. spartan says:

    –de biazi –jo ‘disfatist’ ne teori-..ne oslo–e mundem norvegjine me 70% te mundesive tona–ne tirane do te jete me e lehte-pasi jo vetem luajme ne fushen tone -por jemi me te cliret nga ana psikologjike-..-I-’godituri menderisht’ –eshte–vetem norvegjia–ndersa ne–kemi dy faktore plus–fushen tone dhe tifozerine e zjarte-qe do te na mbeshtese duke besuar tek fitorja jone deri ne fund..–mendohet nje fitore e cmendur e shqiperise-sone–shqiperi 3-norvegji -0—pse jo edhe me thelle-..–norvegjia eshte kthyer ne nje -’lecke’-me te cilen shqiperia do te fshije –’kepucet’-e saj te ‘famshme’-..me pas -fatin e keq norvegjez- do ta kete -edhe-zvicra—-fat te mbare dhe fitore shqiperise sone ne cdo takim …..

  2. Liridon says:

    Azdreni shume i shpejt, driblues me nje teknike dhe fantazi te jashtezakonshme. Bravo De Biazi.

  3. kokorja says:

    Prurje te mira, po sinqerisht ka shume lojtare pa experience nderkombetare, dhe duhet t’ua kesh friken pasi e kane ndeshjen e pare. Ndoshta do kishte qene mire nje ndeshje e vogel miqesore me date 1 apo 2.

  4. alban gjakova says:

    Zoti qoftë me Ne…

Komento