“Robert Emian” sjell në pistën shqiptare tetë shtete evropiane


Emian me drejtuesit shqiptarGjergj Vyshka

Atletikë

Nga drejtues të Federatës Shqiptare të Atletikës konfirmohet se përveç Shqipërisë, si vend organizator i këtij aktiviteti ndërkombëtar, do të marrin pjesë dhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Rumania, Serbia dhe Armenia

“Robert Emian”, mitingu ndërkombëtar i atletikës shqiptare për nder të rekordmenit evropian të kërcimit së gjati, që bëhet në ditën e nderimit të figurave nga “mbretëresha” kuqezi, do të sjellë në pistën me tartan të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, jo pak, por tetë shtete evropiane.

Krahas fqinjëve tanë si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, në këtë aktivitet do të jenë dhe Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Rumania, Serbia. E jo vetëm kaq, duke hequr mënjanë shtetet e Gadishullit Ballkanik, do të marrë pjesë dhe Armenia, që, mbi të gjitha, kërkon të nderojë monumentin e saj të atletikës, Robert Emian.

Për të gjithë këtë aktivitet, i cili do të bëhet të dielën në pistën me tartan të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, Federata Shqiptare e Atletikës ka kohë që ka nisur përgatitjet e saj. Presidenti i kësaj Federate, Gjergji Ruli, por dhe sekretari i përgjithshëm Nikolin Dionisi, edhe duke pasur përvojën e një aktiviteti më parë, që u bë për nder të ish-rekordmenit botëror në 200 metra, Pietro Menea, që nuk jeton më, tashmë e kanë më të lehtë për këtë veprimtari të sivjetme.

Nëse më 24 maji të vitit të kaluar, në mitingun për Pietro Menean kanë qenë Kosova, Maqedonia, Bullgaria dhe Mali i Zi, sivjet është zgjeruar dhe harta e pjesëmarrësve. “Dhe për këtë ne jemi më shumë se sa të kënaqur. Nuk është e pakët që Armenia, e cila ka traditë në kërcim së gjati, do të sjellë një atlet, rezultati i të cilit shkon 8.11 metra. Dhe me të tillë konkurrent dhe gara bëhet më e bukur.

Jo vetëm kaq, por dhe shtetet e tjera kanë premtuar sjelljen e atletëve cilësorë, të cilët, së bashku me pjesëmarrësit tanë, do ta bëjnë më të fortë këtë aktivitet”, ka thënë Ruli, i cili shpreson që, përtej fushatës elektorale, t’i ketë dhe drejtuesit e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por dhe ato të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Sepse, në fund të fundit, një aktivitet i tillë, i treti ndërkombëtar që sjell atletika shqiptare në tre vjet rresht, duke futur dhe Kampionatin Botwror tw Vrapimit nw Mal nw shtator 2011, është nder për të gjithë sportin shqiptar.

Kush është Robert Emian?

Robert Emian ka lindur më 16 shkurt 1965, ndërsa origjina e tij është çifute. Karrierën e tij si atlet në disiplinën e kërcimit së gjati e ka ushtruar për 13 vjet, teksa e ka nisur më 1984, pra kur ishte 19 vjeç, për ta mbyllur më 1997-ën. Kulmi i karrierës së tij është rekordi evropian i kërcimit së gjati, 8.86 metra, të thyer më 22 maj 1987 në Tsakzador të ish-Bashkimit Sovjetik.

Në librin e artë të trove, Emian numëron një herë nënkampion bote dhe një herë Kampion i Evropës. Më 1987, kur ka dalë nënkampion Bote në pistë të hapur, qe shpallur dhe Kampion Evrope për salla të mbyllura. Dhe më 1986, nw Shtutgart,  me 8.41 metra, është Kampion Evrope.

Ai aktualisht është presidenti i Federatës së atletikës armene, teksa vitin e kaluar ka qenë së bashku me Pietro Menean në Tiranë, prej së cilës pat marrë dhe jetë aktiviteti nën emrin e armenit fluturues, që do të zhvillohet të dielën në pistën me tartan të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

Komento