Gjirokastra nderon “traktorin” Lefter Millo


Lefter Millo me fanellën e Larisës në një ndeshje të kampionatit Grek. Sipas tifozëve të ekipit ngjyrë vishnjë, Millo dhe Stefan Stoika ishte arsyeja pse stadium “Alkazar” mbushej sa herë kishte ndeshje

Lefter Millo me fanellën e Larisës në një ndeshje të kampionatit Grek. Sipas tifozëve të ekipit ngjyrë vishnjë, Millo dhe Stefan Stoika ishte arsyeja pse stadium “Alkazar” mbushej sa herë kishte ndeshje

Ishte 8 mars i vitit famëkeq 1997, kur një legjendë e futbollit shqiptar si Lefter Millo humbi jetën në një aksident rrugor në vendin e quajtur Januli në periferi të qytetit të Larisës, qytet me ekipin e të cilit kishte nisur dhe aventurën e tij në kampionatin grek. 16 vjet më vonë, pikërisht të shtunën e kaluar, nën iniciativën e Ministrit të Punës, Spiro Ksera, i cili është dhe bashkëmoshatar dhe  bashkëfshatar me “Terin”, është bërë e mundur dhe ngritja e një busti në vendlindjen e Millos në Derviçan. Ceremonia nisi fillimisht në kinoteatrin “Andon Zako Çajupi” të Gjirokastrës,  në një sallë të mbushur me frymë futbollistike dhe jo vetëm.  Pjesëmarrësit kanë qenë të shumtë, mes të cilëve spikatnin ish-Presidenti i ekipit te Larisës, Kostas Samaras, me të cilin Millo, nënshkroi dhe kontratën e parë në tokë greke, ish-shokët e ekipit të Larisa, Takis Parafestas, Hristos Mihail dhe Jani Aleksuli si dhe mjaft lojtarë të Partizanit të viteve të arta dhe të kombëtares së gjysmës së dytë të viteve ‘80. Pas fjalimeve të mbajtura në nder të 9-shit legjendar të Larisës, ku nuk munguan dhe lotët nga miq dhe të afërm,  një përfaqësi e ekipit grek dhuroi dhe një fanellë të ekipit vjollcë me të njëjtin numër. Më pas, ceremonia u zhvendos në fshatin Derviçan, ku fillimisht u luajt një mini-turne me ekipe të zonës dhe pas turneut, fushës sportive të Derviçanit iu vendos emri “Lefter Millo”. Në mbyllje të ceremonisë u zbulua dhe busti i vendosur për nder të Millos në fshatin e tij të lindjes, i punuar nga mjeshtri Maksim Mero, ndërsa ceremoninë e mbylli dhe iniciatori i saj, Spiro Ksera. Pjesëmarrja ishte tepër e lartë dhe nga komuniteti minoritar i zonës, i cili tregoi respektin maksimal për djaloshin që i dha aq shumë futbollit shqiptar dhe kombëtares së futbollit, ndërsa një numër i madh njerëzish kishin ardhur dhe nga Larisa dhe nga Selaniku.

 

Millo me kombëtaren duke luajtur kundër Greqisë

Millo me kombëtaren duke luajtur kundër Greqisë

Kush është Lefter Millo?

Ndoshta për ata që e kanë parë në fushën e lojës nuk meriton prezantim, pasi ishte lojtar që me cilësitë e tij binte në sy në fushën e lojës. Për të lindurit pas viteve ‘80, Lefter Millo ishte mesfushor mjaft i fuqishëm fizikisht, aq sa shpesh thirrej me presudonimin “traktori”. I lindur më 2 gusht të vitit 1966, e nis karrierën e tij fillimisht te Luftëtari dhe pasi vihet nën lupën e Neptun Bajkos, trajnerit të atëhershëm të të kuqve, Millo. 20-vjeçar në atë kohë, vishet ushtar dhe transferohet te Partizani. Me të kuqtë e trajnerit Bajko fiton titullin kampion dhe luan dhe në ndeshjen famëkeqe kundër Benfikës, ku të kuqtë munden 4-0 me katër kartona të kuq dhe me arbitrim skandaloz. Në vitin 1991, provon të luajë jashtë Shqipërisë, në vendin tonë fqinj, në Greqi, me fanellën e Larisës, një emër i njohur në futbollin grek. Millo fillimisht luan me ekipin amator por shumë shpejt cilësitë e tij bien në sy dhe ai transferohet në ekipin e parë ku hyn në zemrën e tifozëve grekë. Pas pesë sezonesh dhe pas plot 103 paraqitjesh dhe 9 golash me fanellën ngjyrë vishnjë të Larisës, vendos të kalojë te Iraklisi i Selanikut. Me Iraklisin luan dhjetë ndeshje dhe ndërkohë zërat flisnin për një rikthim te Larisa gjatë merkatos së verës, rikthim që nuk do realizohej kurrë, pasi në 8 Mars 1997, Millo humbet jetën në një aksident tragjik, vetëm pak kilometra larg qytetit ku kishte luajtur  për plot pesë vjet.

 

tromaktikoTransferimi te Partizani, problem qeveritar

Në një intervistë të vjetër të trajnerit të madh të Partizanit, Neptun Bajko jepet dhe një detaj mjaft interesant për mënyrën sesi Millo u transferua te Partizani, në verën e vitit 1986. “Ishte viti 1986 dhe unë sapo kisha ardhur te Partizani si trajner. Në këtë periudhë, Partizani po bënte disa ndryshime në ekip. Unë doja të bëja ca prurje të reja edhe pse ekipi ishte me lojtarë të shkëlqyer që dhe sot kujtohen dhe respektohen. I kisha vënë syrin mesfushorit të “Luftëtarit” Lefter Millo, Memushit të Vlorës dhe Besnik Bilalit të “Vllaznisë”. Ishin të tre lojtarë të rinj që po bënin ushtrinë. Ata të tre dhe në ushtri po luanin me skuadrat e tyre. Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Kiço Mustafi, më tha që do bënte të pamundurën të mi siguronte këta tre lojtarë.” Më tej, në intervistë, Bajko shprehet se transferimi më i vështirë për tu kryer ishte a ii Millos, që në atë kohë ishte vetëm 20 vjeç. “Gjirokastra bëri shumë luftë për ta mbajtur. U bë problem qeveritar atëherë. Por ishte dhe vendosmëria e Kiços që Lefteri të vinte tek ne. Ishte një sportist shumë punëtor, i palodhur,shumë i përgatitur fizikisht dhe mund të them se nuk kishte asnjë dallim nga lojtarët e huaj.” – shprehet Bajko për Lefter Millon.

 


ΜΗΛΟΣKomunikata e F.C. Larisa dhe harresa e medies shqiptare

Ndërkohë stafi i Larisës, ekipit në të cilin Millo luajti për plot pesë vjet, ka lëshuar një komunikatë në të cilën kujton lojtarin legjendar me numrin 9 dhe shpreh mirënjohjen e saj të plotë për atë që ai dha për ekipin me ngjyrë vishnje dhe me stemën e kalit në kraharor:

“Ditë kujtimi dhe emocionesh e sotmja, pasi bëhen plot 16 vjet nga dita që Lefter Millo u largua prej nesh. Millo u afrua në ekipin tonë në verën e vitit ’91 dhe për plot pesë vjet la shënjën e tij, duke u ndeshur, për ngjyrën vishnjen, dhe duke u kthyer në një nga lojtarët më të talentuar dhe më karizmatikë që kanë mbajtur stemën tonë në gjoks. Nuk arriti të fitonte trofe, sepse ekipi ynë në atë kohë nuk ishte në ditët e tij më të mira, por me grintën e tij fitoi zemrat e gjithë tifozave të Larisës. Gjatë pesë viteve në stadiumin Alkazar, ai luajti 121 herë dhe shënoi 13 gola në të gjitha kompeticion. U shua në orët e para të mëngjesit të 8 Marsit 1997, në moshë të re në një aksident rrugor pak jashtë qytetit tonë, duke zënë një vend në panteonin e lojtarëve që kanë veshur këtë fanellë. I paharruar kujtimi i tij.”

Bie në sy neglizhenca e medias shqiptare për të kujtuar të madhin Millo, ku me përjashtim të faqes së Luftëtarit dhe të Partizanit në Facebook, asnjë tjetër nuk ka pasqyruar ceremoninë  e zhvilluar në Gjirokastër, ndërsa në mediat greke kjo ngjarje ka marrë një jehonë të konsiderueshme.

8 Komente

  1. kokorja says:

    Kiço Mustafi, ministri yne grek i mbrojtjes se atehershme, nuk e pati shume problem ta sillte Millon ne Tirane te Partizani, me gjithe cfare thone ketu ne artikull.

    C’flasin per neglizhencat e mediave shqiptare, kur problemi i pare jane klubet. Klubet shqiptare nuk kane websajte, dhe jane te vetmet klube futbolli ne bote qe i ka shteti.

    • Fuck Bollano says:

      O Kokorja po si paska qen grek ky ministri me mbiemrin Mustafi?
      Boll hodhet balt mbi Partizanin.
      Jo per gjo po tregoni nivelin tuaj se legjendes ti vini anash.

  2. adi says:

    Millo , lojtar i jashtezakonshem , nuk kishte futbollist qe ta rrezonte sa here na bente duke qeshur se gjate lojes ai qe shkonte per te rrezuar Lefterin rrezohej vete , lojtar klas i paperseritshem , tifozet e Partizanit do ta kujtojne per jete te paharrueshmin Lefter Millo . Respekt….

  3. Fred says:

    ne jemi te kqijt e vetes dhe te vendit tone.PIK

  4. eljon says:

    Shume respekt per Lefter Millon!

  5. tata says:

    Sa ishte vlera e LEFTER MILLOS ne ato vite,,,nuk kushtonte e gjithe Shqiperia nga vermoshi e deri ne konispol.

  6. Altin says:

    Shume respekte per Lefter Millon, per perkushtimin e tij ndja dheut qe e lindi!

Komento