Sporti Shqiptar Online

Vasfi Samimi, legjionari i parë shqiptar

portieri i pareIsh-portieri i Fenerbahçes ka qenë ndër të parët futbollistë shqiptarë që kanë luajtur jashtë Shqipërisë

Ish-portieri i Vlorës (dikur “Ismail Qemali) dhe i Tiranës së viteve 1930-1937, Dr. Vasfi Samimi, ka qenë ndër futbollistët e parë shqiptarë që ka luajtur jashtë kufijve të vendit. Pikërisht në Turqi, me Fenerbahçen e famshme, në vitet 1927-1928.

Nëse Naim Kryeziu dhe Riza Lushta u rritën si futbollistë e më pas shpërthyen si të tillë në Italinë e viteve 1940 e më pas, Samimi ishte produkt i pastër i shkollës turke të futbollit, për aq sa luajti. Që kur ishte në vitin e fundit të gjimnazit, Vasfiu kishte tërhequr vëmendjen e trajnerit të skuadrës së futbollit “Fenerbahçe” te Stambollit.

Ai e ftoi në prova ku doli me sukses. Shtatlarti Vasfi Samimi u rreshtua ne mbrojtjen e kësaj skuadre në zë edhe jashtë kryeqytetit të Turqisë. Për cilësitë e tij, shkathtësi e symprehtësi, trajneri e kaloi në mbrojtjen e portës. Portieri i “ Fenerbahçes”, studenti me “shallin e verdhe” u bë i mirënjohur ne qarqet sportive, sidomos te futbollit turk.

Në Turqi, në periudhën e Paraluftës së Dytë Botërore, kanë luajtur edhe Qemal Omari, madje deri në lojtar të Kombëtares turke e gjyqtar ndërkombëtar, e trajneri që i ka dhënë Skënderbeut titullin e vetëm kampion në vitin 1993, por dhe Servet Teufik Agaj, një tjetër lojtar kampion me skuadrën korçare.

Riza Lushta te Juventusi, Naim Kryeziu dhe Haki Korça te Napoli, Loro Boriçi te Lacio, Sabaudin Biçaku te Voghera, janë disa nga futbollistët shqiptarë në Italinë e viteve 1940. Riza Lushta është shqiptari që ka luajtur për ngjyrat “azzure” të Napolit, edhe pse bëhet fjalë për një histori më shumë se 65 vjet më parë.

Kosovari Riza Lushta, i lindur në Mitrovicë, u aktivizua me Rudarin, por në Itali shkoi pasi më parë kishte luajtur me Tiranën – fitoi 4 tituj kampionë, 1934, 1936, 1937 dhe 1939 dhe të parën Kupë të Shqipërisë, 1939. Lushta ka luajtur si sulmues me Napolin në vitet 1945-1947, teksa është aktivizuar në 27 ndeshje, duke shënuar 6 gola. Në Itali Lushta ka luajtur edhe me Juventusin, Barin, Alesandrinë, Forlin e Rapalon, ndërsa në Francë me Kanën.

Në Serinë A, Lushta ka luajtur në total 170 ndeshje, duke shënuar 68 gola. Lushta, i lindur në vitin 1916, vdiq në moshën 81-vjeçare, në vitin 1997. Skënder Begeja, një ish-futbollist i shquar i Dinamos dhe i Kombëtares, i ndarë nga jeta vetëm disa javë më parë, ka qenë një prej futbollistëve të parë të pasluftës që kishte luajtur futboll një shtet tjetër, në Bullgari.

Loriku, lojtari më i shtrenjtë shqiptar

Shifrat e transferimeve të lojtarëve shqiptarë nuk mund të konkurrojnë kurrsesi me ato të “yjeve” të përmasave botërore, megjithatë janë të respektuara. Lorik Cana dhe Erjon Bogdani janë futbollistët shqiptarë për të cilët është paguar më shumë.

Për të marrë Canën nga Paris Sën Zhermeni, Marseja pagoi 4 milionë euro, Sanderlendi pagoi 6 milionë euro për ta marrë nga Marseja, dhe Gallatasaraji 4.5 milionë euro për ta marrë nga klubi anglez. Në Itali, Lorik Cana përfiton një rrogë vjetore, prej 1.7 milionë euro.

Qemal Vogli, arratisja e “Tigrit të zi”

Në gusht të vitit 1956, Dinamo mori pjesë në një turne në Çekosllovaki, ish-Republikën Demokratike Gjermane dhe ish-Bashkimin Sovjetik. Dinamo fitoi 3-2 me përfaqësuesen e Pragës (Resmja, Deda, Lubonja), më 4 gusht 1956.

Më pas Dinamo fitoi 3-1 ndaj Dinamos së Berlinit në stadiumin “Glyh auf Kampfban”, më 22 gusht të vitit 1956, por pikërisht pas kësaj ndeshjeje Dinamoja do ta linte Republikën Demokratike Gjermane për t’u nisur drejt Bashkimit Sovjetik, pa portierin e mrekullueshëm, Qemal Vogli, i cili u arratis, ndërkohë që para tij ishin arratisur Bule Vathi dhe Bahri Kavajës (1950, në ngushticën e Bosforit).

Ai u cilësua armik e tradhtar i partisë dhe pushtetit popullor. Pas kthimit të tij në Shqipëri ai u dënua në vitin 1957. Dënimi i tij i padrejtë ishte një periudhë prej 7 vite e 4 muaj. Vogli ka fituar 6 herë titullin kampion dhe 5 herë Kupën e Shqipërisë me Dinamon. Debutoi me Kombëtaren që në moshën 17-vjeçare dhe zhvilloi vetëm 11 ndeshje. U nda nga jeta në moshën 75-vjeçare.

Drejtori sportiv Igli Tare
Igli Tare është një nga futbollistët më të shquar shqiptarë në arenën ndërkombëtare. Pas eksperiencave në Gjermani dhe Itali, ai është prej tre vitesh, drejtori sportiv i Lacios, një prej skuadrave të njohura italiane, ku Igli është përgjegjësi kryesor për merkaton laciale. Një nga blerjet e tij është Lorik Cana.

Nofkat, nga “skafisti te “Princi i Epirit”

Nofkat e futbollistëve. Kurrsesi nuk mund të shpëtonin as futbollistët tanë. Lorik Cana thirret nga tifozët e media franceze si “Le Guerier” (Luftëtari); Altin Lala ka nofkën “xhuxhi luftarak”; Erjon Bogdani quhet ndryshe dhe “Princi i Epirit”; Florjan Myrtaj, për shkak të mënyrës së veçantë të festimit të golave, duke lëvizur flamurin e këndit sikur vozit një varkë, quhet “skafisti”; Hamdi Salihi ka marrë epitetin “Gerd Myleri shqiptar”; ndërsa Edvin Murati “Maradona i Ballkanit”. “Princi i Epirit” ju vendos Erjon Bogdanit në kohën kur ai luante Hellas Veronën në Serinë B. Bogu shënoi 17 gola atë sezon dhe si shqiptar i vendosën këtë nofkë.

Iljaz Lika, – kështu thirrej Ilion Lika, portieri aktual i Tiranës, kur ai luante në skuadrën e tij çeçene, Terek Grozni. Pagëzuesi i portierit shqiptar ishte vetë presidenti i klubit dhe i rajonit të Çeçenisë, Kadirov Ramzan Ahmatoviç. Madje bosi çeçen 32-vjeçar vendosi atëherë edhe një rregull ekstrem. Kush e thërriste Likën me emrin e tij zyrtar, Ilion, merrte një gjobë të majme.

Gola në gjithë planetin

Golat shqiptarë e kanë pushtuar planetin. Gjeografia e golave të legjionarëve kuqezinj është e gjerë, në të pesë kontinentet: Hamdi Salihi shënon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Xhevair Sulaj realizon për Sepehanin e Iranit; Besart Berisha që aktivizohet në Australi shënon për Brisbane Roar, duke u shndërruar edhe në lojtarin e parë shqiptar që shënon në dy Liga Kampionesh të ndryshme, ato europiane dhe aziatike.

Statistikat e golave ofrojnë Erjon Bogdanin dhe Lorik Canën që shënojnë në Itali, Elis Bakajn dhe Ahmed Januzin, realizojnë në Ukrainë; Jahmir Hyka dhe Armando Sadiku në Zvicër, Edmond Kapllani dhe Mërgim Mavraj në Gjermani; Ansi Agolli dhe Ervin Bulku në Azerbajxhan, Emiljano Vila në Greqi dhe Arbër Abilaliaj në Kroaci, etj. Sulmuesi Besart Berisha fitoi “Këpucën e Artë” në Australi. Në total, sezonin e kaluar, 26 futbollistë shqiptarë kanë shënuar sezonin e kaluar, jo pak, por 147 gola.
Portierët kuqezinj
Portën e ekipeve të ndryshme europiane e kanë mbrojtur Foto Strakosha (me disa ekipe në Greqi), Perlat Musta, Ilir Bozhiqi në Rumani, Arjan Beqaj (Greqi dhe Qipro), Isli Hidi (Ukrainë dhe Qipro), Ilion Lika (Rusi), Lulian Gjeloshi në Angli, Mario Cenolli në Angli, SHBA dhe Kanada, Arben Kasolli me disa skuadra në Greqi e Holandë. Dy portierët aktualë të Kombëtares, Sajmir Ujkani dhe Etrit Berisha, luajnë respektivisht në Itali (Palermo) dhe Kalmar (Suedi).

Rikthimet e legjionarëve
Nuk ka vetëm transferime të lojtarëve tanë, por dhe rikthime të tyre në Shqipëri: mesfushori Sabien Lilaj dhe sulmuesi Arbër Abilialiaj u kthyen nga Kroacia, duke firmosur respektivisht te Skënderbeu dhe Tirana. Sulmuesi Migen Memelli përfundoi kontratën e tij në Arabinë Saudite, për të nënshkruar me Flamurtarin. I rikthyer është dhe mbrojtësi shkodran, Elvin Beqiri, që ka firmosur me Vllazninë.

 

Një koment

  1. Sokol, USA

    05/03/2013 at 02:51

    Bukur shume ku artikulli me gjera interesante po nuk duhet te harroni edhe te madhin Dod Tahiri, nje kampion vendit me “Vllaznin” 1945=1946 rekord per numrin e vogel te golave te psuar dhe kampion i Ballkanit ne vitin 1946 me kombetaren i vetmi trofe real i fituar nga kambetarja shqiptare e futbollit, qe ma vone mas arratisjes nga Shqiperia ka luajtur edhe ne ish Jugosllavi!

Komentoni

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>