Kombëtarja U-17 barazon në miqësoren ndaj Sllovenisë


kombu17

Sfida e zhvilluar në stadiumin “Besa”, të qytetit të Kavajës ka përfunduar me rezultatin 1-1, ndërsa të dy golat janë shënuar në pjesën e parë të këtij testi

Nga ARBËR BAULJA
Shqipëri-Slloveni 1-1
Shënues: Hyseni 7’ / Ivkiç 40’
Shqipëria: Kastrati, Toli, Bregasi, Domgjoni, Feka, Bare, Raxha, Cenaj, Grainca, Taipi, Hyseni Trajner: Xh. Mustedanagiç
Sllovenia: Matoseç, Klementiç, Aheç, Ivkiç, Zuzek, Kuhar, Braçko, Repas, Bjedov, Marcius, Kolar Trajner: B. Jarç
Gjyqtarë: A. Koçi, F. Lama, E. Velo (Durrës)
Kartonë të verdhë: Raxha
Kombëtarja e U-17 ka zhvilluar dje takimin miqësor kundër bashkëmoshatarëve të Sllovenisë, i cili u luajt në stadiumin “Besa” të qytetit të Kavajës. Në një atmosferë të ndezur, e krijuar nga tifozëria e shumtë në shkallët e stadiumit, rreth 1000 shikues, të besuarit e trajnerit Mustedanagiç kanë barazuar me rezultatin 1-1 ndaj miqve nga Sllovenia. Golin për kuqezinjtë e vegjël e shënoi Hyseni, që në minutën e 7-të, por për të prishur atmosferën festive mendoi Ivkiç, që realizoi 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë. Të pranishëm në tribunën Vip ishin prezentë trajnerët e skuadrave U-19 dhe U-21 të Shqipërisë, përkatësisht Foto Strakosha dhe Skënder Gega, që shoqëroheshin nga Drejtori i Ekipeve Kombëtare, Redi Jupi.
Pjesa e Parë Që në minutat e para të sfidës, përfaqësuesja jonë U-17 shfaqet mjaft këmbëngulëse. Organizatori Bare dhe sulmuesi Hyseni janë dy nga pikat më të forta të kuqezinjve, por edhe talenti i Hamburgut, Dren Feka spikati si një element shumë i domosdoshëm për ekipin. Presioni i ushtruar nga të besuarit e trajnerit Mustedanagiç drejt zonës kundërshtare sjellin një gol mjaft të shpejtë. Në minutën e 7-të, sulmuesi Alesio Hyseni shfrytëzon mjaft mirë një top të hedhur në zonë dhe realizon pas një gjuajtjeje me kokë. 1-0 për Shqipërinë dhe fillimi i mbarë i kësaj miqësoreje, por edhe loja e bukur e zhvilluar nga kuqezinjtë e vegjël argëton pa masë të pranishmit në shkallët e stadiumit. Megjithatë nuk qëndron pasive Sllovenia. Kolar për miqtë kishte mundësinë më të mirë për të barazuar rezultatin, por pasi shmang edhe portierin e kuqezinjve është Bragasi që ndërhyn në momentin e fundit, duke i hequr mundësinë për të gëzuar sulmuesit slloven. 10 minutat pasardhëse do të sillnin ankth në zonën e kuqezinjve, pasi miqtë do të kishin tre raste të mira për të shënuar, por gjuajtjet e kundërshtarëve janë të pasakta. Loja bëhet mjaft interesante me raste për shënim nga të dyja anët, por ata që do të realizonin do të ishin miqtë. Në minutën e 40-të Ivkiç tregohet i saktë në zonë, pas një gjuajtje me kokë duke barazuar rezultatin. 1-1 dhe pjesa e parë nuk ka më histori.
Pjesa e Dytë Fraksioni i dytë i takimit ishte i ndryshëm nga i pari, pasi ritmi i lojës ra ndjeshëm. Të dyja skuadrat tashmë tregohen më të kujdesshme, pasi asnjëra prej tyre nuk kërkon të pësojë gol. Rastet për shënim janë të pakta, ndërsa loja përqendrohet më shumë në mesfushë. Granica dhe Taipi mundohen të bëjnë diçka dhe të nxjerrin Shqipërinë përpara, por mungon efikasiteti në shënim, ndërsa sllovenët qëndrojnë prapa në pritje të ndonjë gabimi të mundshëm të kundërshtarit. Daljet e tyre drejt zonës së kuqezinjve janë me pikatore, ndërsa edhe Cenaj pati një mundësi të mirë për të shënuar, por fati nuk ishte me të në minutën e 60-të, kur topi shkoi ngjitur me shtyllën e majtë pingule të portierit slloven. Deri në përfundim të 80-minutave, rezultati 1-1 i pjesës së parë nuk do të ndryshonte dhe do të mbetej në fuqi ai i pjesës së parë, i vulosur me golat e Hysenit dhe Ivkiç. Një sfidë kjo miqësore, e cila duket se do t’i shërbejë trajnerit Mustedanagiç për konturimin e mëtejshëm të skuadrës dhe evidentimin e talenteve të reja të cilët mund të jenë të domosdoshëm për të ardhmen e përfaqësueses sonë U-17, pse jo edhe të Kombëtareve të më të rriturve. Të dyja skuadrat do të luajnë përsëri një tjetër miqësore mes tyre këtë herë në qytetin e Krujës më datë 21 janar, ndërsa tri ditë më vonë Kombëtarja jonë U-17 do të ketë mundësi të zhvillojë një tjetër test, këtë herë ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës në qytetin e Kukësit.
Borut Jarç, trajneri i Sllovenisë U-17: “Jemi të kënaqur me pritjen miqësore në Shqipëri dhe falënderojmë klubin e Besës, për kushtet ideale të organizimit të kësaj përballjeje. Na u dha mundësia të testonim forcën tonë në këtë miqësore. Skuadra ndodhet në fazë seleksionimi. Më kënaqi pjesërisht rezultati, por më shumë mënyra sesi lojtarët e mi e interpretuan këtë takim. Skuadra shqiptare luante fort dhe e organizuar. Faleminderit edhe një herë tjetër për mikpritjen!”.
Xhemal Mustedanagic, trajneri i Shqipërisë U-17 “Mendoj se ishte një ndeshje shumë e mirë. Jam i kënaqur me rezultatin dhe deri diku me lojën. Nuk kemi pasur shumë kohë për t’u përgatitur, pasi u grumbulluam vetëm 7 ditë para sfidës. Duhet shumë punë individuale me lojtarët. Vazhdoj t’i qëndroj mendimit se Shqipëria U-17 do jetë një nga ekipet pretendente për t’u kualifikuar në Europian”.

4 Komente

  1. Besiani says:

    Me behet qejfi kur shof lojtar shqiptar te klubeve te medha evropiane qe luajne per Shqiperine qe ne moshe te re. Shembulli me i mire eshte ky Feka, lojtar i Hamburgut. Nese punojme me kete ritem, duke sjellur lojtar ne ekipet zingjire(U17, U19, U21), ne nje dite do bejme buje ne Evrope si Kroatet, te cilet edhepse se kane kampionatin e fort, kane organizim perfekt, marrin gjithe lojtaret e rritur jashte shtetit dhe ja ku jane me Kombetaren e tyre! Mendoj se pasiqe ekipet zingjire kane lojtare te mire, dhe lojrat i bjene te mira, ka ardhur koha qe te ju kushtohet me shume vemendje, duke ju bere reklam me shume, duke i propaganduar me shume, duke postuar video me shume te ndeshjeve te tyre etj. Ne kte menyre ehde opinioni do intersohej me shume dhe rritej kualiteti, rezultatet etj. Pra presim qe mediumet te bejne nje gje te tille…

  2. kokorja says:

    Faleminderit qytetit te mrekullueshem te Kavajes qe i jep emer te mire gjithe Shqiperise me mikpritjen dhe organizimin e perkryer.

    Na beni krenare kur doni ju kavajsit, jeni te mrekullueshem.

  3. Nimo says:

    Tifozet e shumte ne stadiumin Besa ?????? Njemije veta !!!!!!!!!!

  4. deni says:

    mendoj se esht nje fillim i mbar nga ana e federates qe ka filluar ti kthej syt nga talentet e vegjel qe luajn neper ekipe te mdhaja te moshave ne europ dhe me kete ritem per 2 ose 3 vjet do te kemi nje kombetare mjaft serioze dhe te mirfillt dhe kete e them me plot goj se kemi talente te mrekullueshem ne europ qe shum shpejt do ta tregojn veten se kush jan

Komento