Alban Meha shënon sërish, konfirmohet si “arma” e kuqezinjve


meha

Mesfushori kuqezi ka qenë autori i golit të dytë për të tijtë dhe ishte protagonist në realizimin e të parit, ndërsa Paderborni merr fitoren e dytë radhazi

 

Nga ANDI TANKU

 

Sërish Alban Meha. Mesfushori kuqezi vazhdon të jetë protagonist me klubin ku aktivizohet, duke u shndërruar në një nga lojtarët më në formë të Kombëtares sonë gjatë kësaj periudhe. Pas golit të shënuar një javë më parë, fantazisti 26-vjeçar ka realizuar sërish, duke i dhënë fitoren e dytë radhazi Paderbornit. Në takimin e djeshëm midis këtyre të fundit dhe AUE-s, takim që përfundoi 2-0 në favor të ekipit ku aktivizohet Alban Meha, mesfushori shqiptar ka shënuar në minutën e 40-të nga pika e bardhë e 11-metërshit, duke vulosur kështu suksesin për të zotët e shtëpisë, pasi sfida ishte 1-0 në favor të Paderbornit. Për t’u përmendur është se 26-vjeçari ka marrë pjesë edhe në aksionin e golit të parë, i cili u shënuar nga Feisthamel. Në minutën e 28-të, Meha ekzekuton mjeshtërisht një goditje dënimi, por ka qenë portieri kundërshtar që ka grushtuar topin, duke i mohuar golin mesfushorit shqiptar. Në të njëjtin aksion, ai që ka përfituar ka qenë pikërisht Feisthamel, i cili i gjendur vetëm pak metra nga porta ka shtyrë në rrjetë “sferën”, duke kaluar në avantazh Paderbornin. Mesfushori kuqezi është shpallur në fund të 90-minutave si futbollisti më i mirë i sfidës, duke i shtuar vetes një tjetër paraqitje për t’u pasur zili, por edhe një gol tjetër në listën e golashënuesve. Janë 4 të tillë të realizuar prej tij në këtë sezon të Bundesligës 2, ndërsa një statistikë tjetër interesante është se 26-vjeçari nuk është ndëshkuar me asnjë karton në këtë kampionat. Përballë tij, në ndeshjen e djeshme u aktivizua me AUE-n, Flamur Kastrati, një tjetër shqiptar, i cili luan për Shpresat e Norvegjisë. Falë kësaj fitoreje, Paderborni vazhdon të ngjisë shkallët e renditjes në Bundesligën 2, edhe pse nuk ka ndonjë objektiv për t’u ngjitur në një kategori më lart. Kjo të paktën me klasifikimin e deritanishëm, pasi skuadra ku luan Alban Meha ndodhet në vendin e 10-të me 29 pikë. Ndërkohë që fantazisti kuqezi është shndërruar në një nga lojtarët më të mirë për skuadrën e tij, dhe kjo jo rastësisht. Forma e mirë e treguar nga lojtari i Kombëtares sonë, në fazën përgatitore me Paderbornin, ku ai realizoi në katër miqësoret e fundit, ishte paralajmërimi më i mirë se ai do të shkëlqente në ndeshjet zyrtare. Alban Meha mungoi në ndeshjen miqësore që Shqipëria zhvilloi ndaj Gjeorgjisë më 6 shkurt, ndërsa mungesa e tij u ndje së tepërmi në mesin e fushës, ku kuqezinjtë luajtën mjaft të çorganizuar dhe pa fantazi. Kthimi i tij në formacionin e parë të trajnerit De Biazi, në ndeshjen kundër Norvegjisë, është një lajm i mirë dhe çlirim për italianin e stolit të Kombëtares sonë. Meha pritet të jetë regjisori i lojës së kuqezinjve dhe të marrë përsipër shumë detyra në mesfushë, duke qenë edhe motori i ideve taktike të De Biazit. Lojtari i Paderbornit u bë pjesë e përfaqësueses sonë në takimin e parë Eliminator për Shqipërinë, atë kundër Qipros, në të cilin u dalluan qartë cilësitë e tij teknike, por edhe ato organizative. Duket se Meha, me formën që po kalon dhe aftësinë e tij për të qenë i saktë edhe nga goditjet e dënimit, një specialitet i tij, mund të jetë një shpresë më shumë për përfaqësuesen tonë në ndeshjen e radhës kundër Norvegjisë, por pse jo edhe në ato në vijim.

 

4 gola të realizuar

Katër janë golat që ka shënuar Alban Meha këtë sezon me fanellën e Paderbornit. Siparin e tyre e hapi në sfidën e tetorit kundër Hertës së Berlinit, duke i dhënë edhe avantazhin e përkohshëm skuadrës së tij, e cila fatkeqësisht nuk mundi ta ruante atë deri në fund, duke marrë vetëm një pikë nga ky 90-minutësh. Ndërsa, golat e tjerë që ka realizuar mesfushori shqiptar, kanë qenë vendimtarë dhe të rëndësishëm, pasi Paderborni ka arritur të dalë me tri pikë, pikërisht nga sfidat ndaj: Bokumit, Ingolstadtit dhe së fundmi kundër AUE-s.

 

Kontratë deri në 2014 me Paderbornin

 

Edhe një vit e gjysmë është kontrata që e mban lidhur mesfushorin kuqezi te Paderborni. Megjithatë, forma që ai po tregon këtë sezon me në Bundesligën 2 ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve elitare në Gjermani dhe nuk do të ishte çudi sikur Meha, sezonin e ardhshëm të vishte fanellën e ndonjë skuadre në Bundesligën 1. Në një intervistë të dhënë disa javë më parë, ai shprehu dëshirën që kjo gjë të realizohej edicionin e ardhshëm, ndërsa për Paderbornin do të jetë shumë e vështirë për ta mbajtur në gjirin e vet lojtarin deri në fund të kontratës.

 

3 ndeshje me Kombëtaren

Takimet ndaj Qipros, Islandës dhe Zvicrës janë tri sfidat që Alban Meha ka veshur fanellën kuqezi. Ai shihet si një zëvendësues i Ervin Skelës në formacionin e Kombëtares sonë, kjo jo vetëm për rolin në fushë dhe cilësitë teknikë të përafërta me vlonjaten, por edhe për saktësinë nga goditjet e dënimit. Megjithatë, Meha nuk e ka gjetur ende golin me skuadrën përfaqësuese, edhe pse kjo nuk e zbeh rolin dhe rëndësinë e tij te kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri De Biazi.

8 Komente

  1. Aldo says:

    Goli dhe asisti i Mehas dhe disa propozime per takimin ndaj Lituanise.
    http://www.youtube.com/watch?v=wOnONf0-Muo

    Ilir Azemi – Greuther Furth
    Alban Bunjaku – Sevilla
    Shkodran Mustafajn – Sampdoria
    Valdet Rama – Real Valladolid
    Migjen Basha – Torino

    De Biassi te therase LOJTARE TE RINJJ REALISHT, jo gomeret e njejte te deshtuar qe i fton regullisht dhe deshtojne po regullisht. Keta futbollista nuk kane problem pasaportizimi. Keshtuqe mafia e FSHF nuk mund te arsyetohet me pislleqet e zakonshme.

  2. taulant says:

    Urimet me te perzemerta mehes shpresojme te njejtat paraqitje te beje dhe me kuqezinjte

  3. artan says:

    meha esht shum lojtar teknik dhe i fort
    se shpejti do ta shohim ne budesliga A,i urojm te shenoj dhe
    ne kombtaren tone

  4. kokorja says:

    Meha-Basha ne qender….

    Mos eshte gje luks? Asnjeri nuk mbron mire.

  5. nga larg says:

    Lexova emrat qe kishte skruar ´´ALDO´´dhe dua t´ambeshtes mendimin e tij me nje thenie nga NOSTRADAMUS
    ´´Ne qofte se SHQIPTARET mbijetojne dhe vitin 2000 do ta rrotullojne boten ashtu si dine vete´´
    Nuk jane fjalet e mia por te NOSTRADAMUSIT shkruar e zeza mbi te bardhe…………..

Komento