Deliu e Lushkja, e ardhmja e sigurt e Besës


deliuDikur Besa krenohej me sulmin e saj dhe lojtarët që luanin në atë repart. Më i fundit e kësaj plejade ishte Sokol Cikalleshi, që tashmë luan në Korenë e Jugut. Në këtë linjë të talenteve, duket se të paktën dy prej tyre Ardit Deliu e Regi Lushkja, i pari vetëm 15 vjeç e gjysmë dhe i dyti 16-të po dëshmojnë se kanë aftësi dalluese në fushën e lojës dhe mund të jenë e ardhmja e Besës. Të dy këta sulmues gjatë fazës së parë shënuan mbi 90% të golave të U-17-s, që drejtohet nga trajneri Ylli Teliti.

Vetë ky i fundit pranon se në ekip ka edhe të tjerë lojtarë të talentuar, por Lushkja dhe Deliu janë duke bërë një sezon mjaft të mirë. “Është ende herët të flasësh me siguri, por nga ajo çfarë kanë dëshmuar këta lojtarë në fushë, besoj se do të jenë pjesë e ekipit të Besës shumë shpejt. Deliu dhe Lushkja kanë nuhatje të lindur për golin.

Vazhdimisht ua përsëris, jo vetëm atyre por të gjithë futbollistëve, se kjo lojë mbetet rrugë e gjatë, që kërkon mund, sakrifica, por edhe dëshirë për të ecur përpara. Vetëm nëse vijojnë të punojnë fort dhe të “luftojnë” çdo lloj shenjë euforie do të mund të bëhen profesionistë në këtë fushë”, shprehet trajneri Teliti.

Në fakt, teknika, zhdërvjelltësia dhe inteligjenca e Deliut në lojë janë elementë që të bëjnë përshtypje, mbi të gjitha edhe për moshën e re që ai ka. Dualiteti në fushë, se kush do shënojë më shumë, Deliu apo Lushkja, jo vetëm që nuk ka sjellë xhelozi, por një altruizëm të lartë mes tyre.

Kështu Besa duket se pas Sokol Cikalleshit dhe Mateo Hasës shumë shpejt do ketë edhe Bajazitin, Krasniqin, Lushkjen e Deliun në sulmin e saj. E kur mendon se bëhet fjalë për diferenca 3-4 vjet mes tyre kupton se të paktën reparti ofensiv i kavajasve nuk do të ketë nevojë të hedhë parà për të afruar lojtarë sulmues.

Komento