Lila dhe Vila, gola kualifikimi për Pas Janinën


vila dhe lilaNga ANDI TANKU

Futbollistët e Kombëtares që aktivizohen në klubin grek kanë qenë protagonistë në ndeshjen e djeshme kundër Fostiras duke realizuar golat e fitores për ekipin e tyre

Tjetër “firmë” legjionarësh në kampionatet Europiane. Këtë herë protagonistët kanë qenë Andi Lila dhe Emiljano Vila, të cilët aktivizohen me Pas Janinën në Greqi. Futbollistët kuqezinj kanë lënë shenjën e tyre në sfidën për kupë kundër Fostiras, duke realizuar secili nga një gol, përkatësisht të dytin dhe të tretin në fitoren 3-2 të Janinës. Kështu skuadra ku luajnë mbrojtësi dhe mesfushori shqiptar ka arritur të kalojë në turin tjetër të kupës së Greqisë. Lila dhe Vila e nisën ndeshjen si titullar, ndërsa kavajasi shënoi në minutën e 34-të, kur takimi ishte në barazim 1-1.

Mbrojtësi ka realizuar me një goditje nga distanca duke e dërguar topin në të djathtë të portierit kundërshtar, i cili nuk arrin të bëjë asgjë për të ndalur “silurën” e lojtarit kuqezi. Gol ky, i cili më pas do t’i hapte rrugën edhe finalizimit të mesfushorit durrsak, i cili shenjëstroi saktë në të 50-ën, ku pas një rrëmuje në zonë dhe çorientimit të mbrojtjes së Fosteras, Vila i gjendur pranë portës nuk e ka pasur të vështirë të shtyjë “sferën” në rrjetë, duke çuar shifrat në 3-1 për Pas Janinën.

Mbrojtësi i krahut të djathtë të Kombëtares sonë u zëvendësua në minutën e 65-të, ndërsa Vila qëndroi në fushë deri në minutën e fundit. Një sukses personal ky i djeshmi për të dy futbollistët, të cilët konfirmojnë edhe një herë formën e tyre të mirë, ndërsa pas 1 edicioni e gjysmë, ata janë kthyer në “idhuj” të tifozërisë së Pas Janinës.

Andi Lila është parë gjithnjë si një titullar i padiskutueshëm në ekipin helen, ndërsa durrsaku nuk ka pasur gjithnjë të njëjtin fat si shoku i tij, edhe pse Vila konsiderohet si një nga pikat e forta të skuadrës. Kavajasi shënon kështu golin e tij të dytë në këtë sezon, kur kujtojmë se të parin e shënoi në kampionat, ndërsa Vila “çlirohet” për herë të parë në këtë edicion.

Duket se pas paraqitjeve mjaft pozitive që janë duke bërë futbollistët e tjerë të Kombëtares si Cana, Sadiku, Bakaj, Meha, duket se firmën e tyre të suksesit kërkojnë ta hedhin edhe dy legjionarët e Pas Janinës dhe me golat e djeshëm ia kanë arritur qëllimit. Miqësorja e 6 shkurtit do të jetë edhe një “pasqyrë” e vërtetë për të parë nga afër gjendjen e lojtarëve, që për të thënë të vërtetën deri në këto momente është pozitive dhe rendimenti i shfaqur prej tyre është mjaft i kënaqshëm.

 

Komento