Mile: E kam për nder të luaj për Shkumbinin


Nga Taulant Ballhysa

Sulmuesi beratas, Vangjel Mile, i ardhur ditët e fundit te Shkumbini, në një prononcim për “Sportin shqiptar” tregohet mjaft optimist për mbijetesën: “Jam shumë i lumtur, që në pjesën e mbetur të sezonit do të luaj për Shkumbinin. Njëkohësisht, më vjen shume keq për ekipin e Tomorit.

Të mbash këtë fanellë është nder dhe privilegj, pasi Shkumbini ka traditë në futbollin tonë. Sapo drejtuesit e klubit nga Peqini më bënë ofertë, nuk hezitova, por pranova menjëherë.

Kisha edhe oferta të tjera, por kjo e Shkumbinit ishte më e leverdisshme. Tomori po kalon momente tepër të vështira dhe kjo duket qartë. Shumica e lojtarëve janë larguar dhe unë si kapiten prita deri në momentin e fundit për të parë si do të shkonin gjërat.

Vendosa të largohem, pasi jam një lojtar profesionist dhe do të shikoj të ardhmen time. I falënderoj tifozët beratas për mbështetjen që më kanë dhënë dhe e quaj kapitull të mbyllur Tomorin. Shpresoj të shpërthej me ekipin e ri. Mezi po pres që të rifillojë kampionati dhe të debutoj me Shkumbinin, ku trajner është babai im.

Ai ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në marrjen e vendimit tim për të luajtur me Shkumbinin, pasi ai më ka thënë fjalë te mira për këtë ekip. Shkumbini ka një tifozeri të mrekullueshme dhe i premtoj asaj se do të bëj më të mirën e mundshme”, – ka thënë mes të tjerash sulmuesi Vangjel Mile.

 

Komento