Bogdani, gol fitoreje dhe sherr me portierin Romero


imagesNga ANDI TANKU

Sulmuesi kuqezi ka realizuar golin e fitores për Sienën, duke shtuar shpresat e tyre për mbijetesën në Serinë A, ndërsa në fund të takimit është përfshirë në një debat me portierin e Sampdorias

Erjon Bogdani në ndeshjen e djeshme të Sienës kundër Sampdorias ka treguar edhe njëherë tjetër vlerat e tij si një sulmues me instinkt “vrasës” dhe se kur i nevojitet ekipit ai jep gjithnjë më të mirën, duke qenë edhe protagonist. Shtatlarti shqiptar i hedhur në fushë nga stoli ka arritur të jetë përcaktues për Sienën duke realizuar golin e parë dhe të vetëm të takimit, çka u përkthye në tri pikë për skuadrën e trajnerit Jakini. Sulmuesi i Kombëtares sonë hyri në fushë në minutën e 63-të dhe i mjaftuan vetëm 8 minuta për të gjetur rrugën e golit.

Ka qenë një krosim i hedhur në zonë, të cilin Bogdani e ka shfrytëzuar mjaft mirë duke goditur topin me kokë, ndërsa më parë kishte fituar edhe duelin ajror me mbrojtësin kundërshtar. 1-0 për Sienën, rezultat që do të qëndronte i pandryshuar deri në fund të sfidës. Por 35-vjeçari kishte edhe një tjetër shans për të realizuar golin e dytë personal, por këtë herë nuk u tregua i saktë, ndërsa në minutën e 76-të ai u ndëshkua me karton të verdhë.

Një fitore mjaft e rëndësishme kjo për ekipin ku aktivizohet “Bogu”, pasi u arrit ndaj një rivali direkt që lufton për mbijetesë, pasi edhe Sampdoria gjendet në pozita të vështira në tabelën e klasifikimit. Siena ndodhet në fund të klasifikimit dhe është 4 pikë larg vendit që e mban në Serinë A.

Goli i shënuar dje nga Erjon Bogdani i shton më shumë shpresat e tyre për të realizuar këtë objektiv, ndërsa për vetë sulmuesin “rrjeta” kundër “dorianëve” ishte e dyta në 7 takime të luajtura me fanellën bardhezi. Paraqitja e tij e mirë mund të shtojë shanset, që “bomberi” të shihet me një “sy tjetër” nga ana e trajnerit Jakin, për ta aktivizuar më shumë minuta në ndeshjet në vazhdim.

Sulmuesi: Ky gol, fundi i një makthi për ne Pas takimit, Erjon Bogdani është intervistuar nga mediat italiane, ku është ai shprehur mjaft i kënaqur për golin e realizuar prej tij dhe që pati mundësinë që t’i jepte tri pikët e para trajnerit Jakini.

“ Realizimi im përfaqëson fundin e një “makthi”. Kemi punuar gjithnjë fort dhe e meritonim këtë fitore kundër Sampdorias. Këto janë tri pikë thelbësore dhe të rëndësishme për vazhdimësinë tonë në Serinë A. Kampionati për ne nis në këto momente. Nga sot (dje) e në vijim do të provojmë të gjitha shanset tona për të mos rënë nga kategoria. Tashmë çdo ndeshje, për ne do të jetë si një finale më vete.

Jam i kënaqur edhe për trajnerin Jakini, sepse e meritonte këtë sukses për punën që ka bërë te Siena. Ai ka qenë një motivues shumë i madh për ne futbollistët dhe ka sjellë një organizim perfekt në ekip. Tashmë po luajnë shumë lojtarë që më parë ishin lënë mënjanë”, u shpreh Bogdani për “Sky Sport”. .

Novara në gjurmët e “Bogut” Një tjetër skuadër e Serisë B interesohet për të marrë shërbimet e Erjon Bogdanit. Bëhet fjalë për Novarën, e cila ka shprehur interes për të afruar në radhët e veta “bomberin” kuqezi.

Megjithatë, pas paraqitjes së djeshme dhe dëshirës së vetë lojtarit për të qëndruar në Serinë A, duket se edhe këtë sezon ai do të lëvizë nga Siena. Kjo edhe për faktin se nga ekipi tashmë është larguar edhe sulmuesi Kalaio për te Napoli dhe vështirë se drejtuesit e klubit të lëshojnë edhe një tjetër futbollist në këtë merkato janari.

 

2 Komente

  1. SOKOLI-KOMENT says:

    te vjen mire kur futbollistet shqiptare behen protagoniste te skenave europiane,kjo padyshim eshte kenaqesi per c’do lojtare,por njekohesishte per c’do shqiptare…
    Sa i takon ERJON BOGDANIT per vet faktin se lojtari luan prej vitesh ne ITALI kam pershtypjen se ;
    - te shenoshe ne porten kundershtare eshte aftesi por mbi te gjitha eshte detyre e ç’do sulmues..
    keto cilesi e aftesi ERJON BOGDANI si futbolliste i serise “A” te kampionatit italian edhe pse mundesite i ka patur te gjitha nuk i ka shprehur siç duhet….

Komento