Partizani fiton 1-0 testin kundër Teutës


Pas suksesit të djeshëm, duket se ekipi është drejt konsolidimit të plotë, ndërsa krerët e klubit janë të kënaqur me paraqitjet e futbollistëve gjatë kësaj periudhe

 

partizani

Pas suksesit të djeshëm, duket se ekipi është drejt konsolidimit të plotë, ndërsa krerët e klubit janë të kënaqur me paraqitjet e futbollistëve gjatë kësaj periudhe

Duket se Partizani po jep frytet e para të punës dhe merkatos që është zhvilluar gjatë kësaj periudhe. “Të kuqtë” kanë arritur të fitojnë me rezultatin 1-0 në miqësoren kundër Teutës të zhvilluar dje në Durrës. Golin e vetëm të takimit e shënoi Bekim Iliazi, i cili është një futbollist i afruar nga akademia e Totenhemit dhe që premton shumë. Në bankinë për Partizanin ka qenë Hasan Lika, i cili hodhi në fushën e lojës këtë formacion: Adroviç, E. Tafaj, F. Tafaj, Prençi, Pashaj, Ishka, Lala, Thana, Devolli, Petro dhe Malo. Pjesa e parë e sfidës ka qenë me ritëm të lartë nga të dyja skuadrat, ndërsa durrsakët kanë qenë ata që kërkojnë më me ngul golin. Teuta arriti të fitojë edhe një 11-metërsh, por Mancaku gabon nga pika e bardhë, duke lënë në fuqi rezultatin 0-0. Kjo jo për shumë minuta, pasi përpjekjet e Partizanit për të realizuar do të shpërbleheshin në të 60-ën, kur Bekim Iliazi do të shënonte edhe golin e fitores për “demat e kuq”. Trajneri Lika aktivizoi në këtë miqësore edhe Frashërin, Lundraxhiu, Duqin, Xhepën, Sulçen, Iliazin, Branicën dhe Llakajn, për të parë edhe gjendjen e tyre fizike. Kjo fitore i shërben Partizanit edhe në planin moral, por tregon se tashmë ekipi është në rrugën e mbarë dhe drejt konsolidimit për fillimin e fazës së dytë të kampionatit. Shpëtim Duro, prezent në miqësoren e djeshme I pranishëm në ndeshjen kundër Teutës ka qenë edhe Shpëtim Duro, i cili ka ndjekur edhe ekipin që do të drejtojë nga e hëna e në vijim. Mësohet se në ditën e parë të javës së ardhshme, ai do të prezantohet edhe si trajneri i ri i Partizanit. Ndërkohë që presidenti i klubit, Lulëzim Sallaku ka bërë me dije se në skuadër do të ketë edhe disa afrime të reja. Ai ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve do të shihet me kujdes edhe pozicioni i disa prej lojtarëve që kanë ardhur në provë te të “të kuqtë”. Sallaku është shprehur se jo të gjithë ata që janë duke bërë përgatitje me Partizanin do të jenë pjesë e ekipit për pjesën e dytë të kampionatit, pasi do të ketë edhe largime. Ndërkohë, numri 1 i klubit është shprehur i kënaqur me formën që po shfaq Partizani gjatë kësaj periudhe dhe është i vendosur të krijojë një grup që do ta çojë skuadrën në Superligë në përfundim të këtij sezoni.

Asnje koment

    Komento