Portieri Xhixha: Burreli do të jetë një “kockë” e fortë


Nga LEONTINA  PASHA

Për portierin e Burrelit, Andi Xhixha, skuadra matjane do të jetë një kockë e fortë për ekipet e tjera të Kategorisë së Parë. “Gardiani” i portës së Burrelit pohon se janë të shumtë faktorët që do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e rezultateve të kësaj skuadre. “Fryma e kolektivitetit dhe bashkëpunimi mes lojtarëve e reparteve janë garanci që ne të arrijmë rezultate pozitive.

Kjo frymë ka ardhur vetëm në rritje, falë kujdesit dhe përkushtimit të treguar nga trajneri ynë, Elvis Plori. As sezonin e kaluar dhe as këtë kampionat ai nuk lejon përçarje të skuadrës apo mosmarrëveshje mes lojtarëve. Kjo është një gjë mjaft e mirë”- u shpreh për “Sportin shqiptar” Andi Xhixha, portieri që ka mbrojtur gjatë gjithë fazës së parë katërkëndëshin e Burrelit.

Duke vijuar më tej argumentat e tij se matjanët do të dinë të ngjiten më lart në renditje, Xhixha shprehet se bashkia dhe klubi janë treguar të vëmendshëm për plotësimin e kushteve të skuadrës. “Unë dhe kolegët e mi jemi të kënaqur me trajtimin ushqimor, me dhënien e pagave dhe gjithçka tjetër që na është premtuar para nënshkrimit të kontratës. Kjo tregon seriozitetin e pushtetit lokal për futbollin”- shtoi më tej Xhixha.

Një faktor i rëndësishëm për Xhixhën është stërvitja e skuadrës dhe drejtimi profesional i skuadrës nga ana e trajnerëve Elvis Plori dhe Besnik Beqiri. “Kushdo e pranon se Plori e Beqiri janë dy drejtues mjaft të mirë. Ata dinë të zhvillojnë stërvitjen e lojtarëve, si dhe ta drejtojnë ekipin gjatë ndeshjes. Veç profesionalizmit ata dinë të sillen me çdo lojtar”- përfundoi portieri i skuadrës matjane, Andi Xhixha.

 

Komento