Shqipëri - Britani e Madhe 3-0
(25-15, 25-17, 25-20)
SHQIPËRIA: Ar.Prenga, Hysenbelli, Sukaj, Am.Prenga, Neli, Nezaj / Meçollari (L), / Shkurti, Xhixha, Begiç, Tuci, Huqi. Trajner: A. Gorenxa
BRITANIA E MADHE: Osborne, Laybourne, Brag, Sandell, O.Conor, Uiks / Bertelli (L) / Teilor, Thom, Morgan, Scot, Carter. Trajner: L. Saula
Gjyqtarë: S.Manojloviç, D.Joviçiç (Ser)
Kombëtarja e Shqipërisë në volejboll për femra ka fituar mbrëmë 3-0 ndaj Britanisë së Madhe në ndeshjen e dytë të turit të parë eliminator të kampionatit europian. Një fitore që i ka dhënë mundësi ekipit tonë të kualifikohet për në turin pasardhës, duke qenë se në ndeshjen e parë në Shefild kombëtarja jonë humbi 3-1. Kështu, epërsia 4-3 me sete për ekipin tonë i jep mundësi kombëtares kuqezi, që drejtohet nga trajneri Adrian Gorenxa, të kualifikohet për më tej. Ishte thënë që kualifikimi do të ishte i vështirë, por jo i pamundur, dhe kështu ndodhi. Volejbollistet tona përmbysën gjithçka dje në "Ramazan Njala" të Durrësit, të mbështetura nga një tifozëri e zjarrtë, duke u kualifikuar me meritë. Arjola Prenga e Rubena Sukaj ishin më të mirat në fushë, të mbështetura nga Hysenbelli me një shërbim të shkëlqyer, Nezaj e Neli me lojën efikase në qendër dhe kapitenia Amarilda Prenga, që vuri në shërbim të ekipit përvojën e saj. Pra, një grup që dje funksionoi mjaft mirë, ndryshe nga ndeshja e parë, ku shërbimi ishte arma e fortë e ekipit tonë. Rivalet tona udhëhoqën vetëm 6-7 në setin e parë, pasi më tej gjithçka kalon në duart e ekipit tonë, që shkëputet 16-13, 24-14 dhe fiton 25-15 setin e parë. Në të dytin loja nuk ka histori, pasi ekipi ynë është gjithnjë në epërsi: 8-4, 13-7, 16-10, 20-12. Fitorja 25-17 e setit të dytë dhe mbështetja e tifozerisë nuk lënë vend për gabime për kombëtaren tonë, që nuk gabon edhe në setin e tretë. Diferencat krijohen që në fillim, 8-6, 10-7, 14-10 dhe pushimet e trajnerit të Britanisë nuk kanë efekt. Shqipëria shkëputet 22-15 dhe fiton 25-20 setin e tretë dhe krejt ndeshjen 3-0, duke u kualifikuar për në turin e dytë eliminator të kampionatit europian. Pas fitores nis festa, pasi tashmë objektivi i parë u arrit, me shpresën që të fitohet diçka edhe në ndeshjet me Çekinë, Moldavinë dhe Slloveninë.
GentiSPIRI