Gjysmëfinale
Konferenca e Perëndimit
Nju Orlins‑San Antonio99‑110 (2‑1)
LA Lejkërs‑Utah Xhaz99‑104 (2‑1)
Konferenca e Lindjes
Detroit‑Orlando90‑89 (3‑1)
Boston‑Kleveland84-108 (2-1)
Reagimi, që pritej, i skuadrës së Klevelandit, erdhi, duke fituar dje ndeshjen e tretë gjysmëfinale të play off-it ndaj Bostonit, me shifrat 108-84. Vendimtar ishte LeBron Xhejms, me 21 pikët e realizuara para publikut të tij, po aq sa edhe Uest, ndërsa Xho Smith shënoi 17 pikë. Gjithçka u vendos në periodën e parë 32-13 për Klevelandin, diferencë që Garnet (17 pikë) me shokë nuk arritën për asnjë çast ta ngushtonin. Në ndeshjen tjetër, luajtur dje, skuadra e Detroit fitoi vetëm me një pikë diferencë, 90-89 ndaj Orlandos, duke udhëhequr serinë e ndeshjeve 3-1 dhe është vetëm një fitore larg finales së Konferencës së Lindjes. Vendimtar ishte Hamilton me 32 pikë, ndërsa Prince realizoi 17 pikë pikë. Për Orlandon, shënuesi më i mirë ishte Turkoglu, me 20 pikë, por gaboi në aksionin e fundit, teksa gjuajtja e tij ishte e pasaktë, çka mund t'i jepte fitoren ekipit të tij.
G. SPIRI
D'Antoni, trajneri i ri i Nju Jorkut
Tashmë është zyrtare: Mike D'Antoni është trajneri i ri i skuadrës së Nju Jorkut në NBA, duke zëvendësuar Isiah Tomas. 57-vjeçari ka firmosur një kontratë disamilionëshe, (mendohet 24 milionë dollarë), duke u bërë trajneri i tretë më i paguar në NBA. D'Antoni ka një seri prej 253 ndeshjesh të fituara dhe 136, të humbura, dhe cilësohet si një nga trajnerët më të mirë në NBA.
Tenis
Djokoviç fiton turneun e Romës
Tenisti serb Novak Djokoviç fitoi dje turneun Master Series të Romës, duke mundur me rezultatin 2-1, në finale, zviceranin Stanislav Uarinka (4-6, 6-3, 6-3). Megjithëse zvicerani fitoi setin e parë, nuk arriti që të fitojë turneun e tij të parë në karrierë, pasi përvoja e serbit vendosi në pjesën e mbetur të takimit. Për Djokoviç ky është trofeu i 10-të në karrierë dhe i treti, në këtë vit, pas Australian Open dhe Indian Uells (turneu i katërt Master). Në këtë turne morën pjesë edhe Roxher Federer e Rafael Nadal, që u eliminuan.
Safina fiton derbin me Dementievën
Ka përfunduar dje në Berlin turneu Master Series për femra, që nxorri si fituese tenisten ruse, Dinara Safina. Ajo mundi në finale me rezultatin 2-1 (3-6, 6-2, 6-2) patrioten e saj, Elena Dementieva, në një ndeshje interesante, ku kjo e fundit fitoi setin e parë dhe më pas, erdhi përmbysja e Safinës. Për Safinën ky është trofeui i parë për këtë sezon dhe i gjashti në karrierën e saj, ndërkohë që nga skena e këtij turneu doli edhe numri 1 Zhustin Henin, që u eliminua.
Çiklizëm
Xhiro e Italisë, Riço fiton etapën e dytë
Çiklisti italian Rikardo Riço fitoi dje etapën e dytë të Xhiros së Italisë, Çefalu‑Agrixhento, 207 kilometra e gjatë. 24‑vjeçari Riço, që garon për ekipin e Saunier Duval, fitoi me një sprint të fuqishëm në 4 kilometrat e fundit, përpara italianëve: Di Luka, Rebeloin, Savoldeli dhe Pelizoti, (që kryeson Xhiron e Italisë dhe mban fanelën e kuqe), që u renditën në vendin e dytë. Në ditën e parë, të shtunën, u zhvillua etapa e parë, një kronometër skuadre, që u fitua nga ekipi amerikan Slipstream.