Eliminatoret e europianit
Meshkuj
8 majShqipëri - Azerbajxhan3-1
11 majAzerbajxhan - Shqipëri18.00
Femra
8 majBritani e Madhe - Shqipëri3-1
11 majShqipëri - Britani e Madhe18.00
Vetëm 24 orë pasi ka fituar 3-1 ndeshjen e parë eliminatore të kampionatit europian në volejboll për meshkuj, kombëtarja që drejtohet nga trajneri Ylli Tomorri është nisur drejt Bakusë, qytetit ku do të luhet të dielën ndeshja e kthimit me Azerbajxhanin. Të dyja skuadrat kanë udhëtuar në të njëjtin avion, si në linjën Tiranë-Stamboll ashtu dhe në linjën Stamboll-Baku, duke mbërritur në kryeqytetin e Azerbajxhanit vetëm në orët e para të ditës së sotme. Fitorja e arritur ndaj ekipit të Azerbajxhanit e ka rritur ndjeshëm entuziazmin në kampin kuqezi, që shpreson shumë në një kualifikim në turin e dytë. Kjo, nisur edhe nga fakti që loja e treguar nga volejbollistët shqiptarë ishte mjaft e mirë, por pa nënvleftësuar për asnjë çast kundërshtarin. Tepër i kënaqur me këtë fitore është edhe trajneri Ylli Tomorri, që pak orë para nisjes, për "Sportin shqiptar" u shpreh: "Ishte një ndeshje e fortë, ndaj një rivali të barabartë, ndaj dhe fitorja 3-1 ka shumë vlera për ne. Treguam një formë të mirë, një ekip të konsoliduar, megjithëse bëmë disa gabime, të cilat duhet t'i riparojmë ose limitojmë në ndeshjen e kthimit, e cila do të jetë më e vështirë se sa para, duke parë se luajmë në fushën e Azerbajxhanit. Por them se ekipi ynë ka shumë shanse për t'u kualifikuar, duke parë lojën e treguar në Durrës si dhe faktin që ka mundësi për të luajtur akoma më mirë. Skuadra ka rezerva për të bërë më shumë dhe këtë shpresojmë ta tregojmë në Baku," - deklaron trajneri Tomorri, që i fton lojtarët të jenë me këmbë në tokë në ndeshjen e kthimit. Në ndeshjen e "Ramazan Njalës" u dallua shumë Dritan Çuko, më i miri në fushë, pa lënë mënjanë veteranin Tukseferi në organizim apo dhe Kasën me shokë. "Kush mendon se gjithçka ka përfunduar, gabon. Ne e dimë që kemi një avantazh në ndeshjen e kthimit, duke parë se vijmë nga një fitore dhe se kundërshtari ynë do të jetë më në tension për të fituar. Gjithçka është ende e hapur, por ne do të shkojmë në Baku për të fituar, ose më saktë për t'u kualifikuar. Ky do të ishte një shpërblim i punës së kryer," - shprehet trajneri i kombëtares Tomorri, që në këtë detyrë shoqërohet nga Jani Melka dhe Ilia Koja. Ndërkohë, vetëm në mesnatë ka mbërritur në Rinas kombëtarja shqiptare e femrave, që të enjten luajti në Shefild me Britaninë e Madhe (humbi 3-1). Ndërsa sot pasdite pritet që të mbërrijë kombëtarja britanike, ndërkohë që po sot do të zhvillohen edhe seancat e para stërvitore, në prag të sfidës së të dielës.
GentiSPIRI
Britanikët, të lumtur për fitoren në Shefild
Pas ndeshjes së luajtur në Shefild, ku kombëtarja e Britanisë së Madhe fitoi 3-1 ndaj asaj shqiptare në volejboll për femra, ka reaguar menjëherë shtypi sportiv britanik, që e ka quajtur mjaft të rëndësishme këtë fitore. Ata kanë vlerësuar lojën e mirë të skuadrës së tyre, duke mundur një ekip si Shqipëria, që 3 vite më parë i kishte mundur po në atë parket. Trajneri i Britanisë së Madhe, Lorne Soula, ishte shprehur i kënaqur me faktin se skuadra e tij ishte kompakte në lojën e saj, duke shprehur potencialet e saj dhe se e meritoi fitoren.
Një trajner amerikan vëzhgon shqiptaret
Ibrahim Subaru është trajneri dhe specialisti amerikan i volejbollit që ka vëzhguar ekipin tonë kombëtar të femrave në ndeshjen që zhvilloi në Shefild ditën e enjte dhe që nesër do të jetë në Durrës, për të parë edhe ndeshjen e kthimit midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Subaru është trajner i Universitetit Amerikan të Pitsburgut në volejboll dhe ka vendosur që të ndjekë nga afër lojtaret tona, i tërhequr edhe nga fakti që në një universitet amerikan luan Rubena Sukaj, një nga volejbollistet më të mira të Ligës.
Ndeshjet e kthimit, gjyqtarë turq e serbë
Federata Europiane e Volejbollit (CEV) ka përcaktuar gjyqtarët që do të gjykojnë kombëtaret shqiptare të rrjetës në ndeshjet e dyta eliminatore të kampionatit europian në volejboll, që do të luhen nesër. Kështu, në takimin e femrave që do të luhet në Durrës (ora 18.00), midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, do të jenë këta gjyqtarë: Slavisha Manojloviç dhe Dejan Joviçiç, të dy serbë. Ndërsa ndeshja e meshkujve Azerbajxhan‑Shqipëri, që do të luhet në Baku (ora 18.00), do të gjykohet nga një dyshe turke: Mehmet Demirdelen dhe Ali Bagde.