Nga Irfan Rama
Tashmë skuadrës së madhe të Tiranës, që vetëm emri i ka mbetur për sezonin futbollistik 2007‑2008, i ka humbur gjithçka. Kampionatin kishte kohë që e kish humbur, ndonëse shumë dashamirës të zjarrtë e kishin nxitur deri 10 javë më parë, pa harruar edhe donatorët ekskluzivë në dhënien e shumave marramendëse për futbollistët dhe për tërë infrastrukturën e futbollit të klubit të tyre. Mediat po ashtu e kishin nxitur siç nxisin njerëzit e pasionuar kafshën në dyluftim me analogen e saj, ndonëse ajo është plagosur rëndë dhe e ka të vështirë mbienergjimin e saj. Por ajo, Tirana e emrave të mëdhenj, që nga koha e Riza Lushtës e deri tek Arben Minga, Agustin Kola e më së fundi e legjendës më të re të Tiranës që mbylli vitet e lavdisë së tij, Indrit Fortuzit, të mërkurën e kaluar, u shkërmoq edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë me atë 2‑0 të papërtypshëm për të mirët dhe të urtët tifozë të Tiranës në përballjen ndaj Vllaznisë së Shkodrës, të këtij klubi që në vitin 1920 përlindte embrionet e para të futbollit magjik për botën e vogël shqiptare. Skuadra e Tiranës përgjatë këtij kampionati vetëm u zvarrit. Them vetëm u zvarrit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, sepse edhe atëherë kur diçka përngjitëse përshfaqej në horizont, vinte një "erë tronditëse" dhe e dërgonte sërish poshtë, në zvarritjen që kish marrë udhën që në verën e vitit 2007 dhe më ekzaktësisht në qershorin e nxehtë të vitit që "mbylli sytë". "Më mirë po e mbyll tani, sesa të zvarritem në fushë, qoftë edhe për një sezon tjetër. Kur vendosa të largohesha nga Greqia, për t'u kthyer te Tirana, mendoja se do të gjeja një ekip të fortë, që do të më ndihmonte edhe mua. Isha i ndërgjegjshëm se nuk mund ta tërhiqja unë ekipin falë emrit. Nuk ishte e thënë që skuadra të funksiononte dhe, duke parë që humbjet po më stresonin shumë, pasi unë tani jam një tifoz i Tiranës, vendosa të them mjaft,"‑ thotë "sopranoja" emblemmë e Tiranës, Indrit Fortuzi, bukurisht dhe filozofikisht në një intervistë në këtë gazetë të shtunën që kaloi. Ai e kish kuptuar tashmë se nuk mund të vazhdohej më tentimi me një makinë që e kish humbur shpejtësinë dhe lustrën llamburitëse të një viti më parë, kur shkëlqente tej e tej. Fortuzi u "dorëzua" para se të vijonte më tej me zvarritjen e skuadrës së tij. "Profesori" i driblimit, i asisteve ekzemplare, i goditjeve në çdo pozicion me kokë e me këmbë, që një pjesë e konsiderueshme përfundonte në rrjetë, njeriu "Maradonë" apo "Mesi", që shënoi atë gol spektalolar kundër Larisës në kampionatin grek në formacionin e Iraklisit, futbollisti që "këndoi" për 18 vjet në zonat e rreptësive kundërshtare shqiptare e të huaja, duke shënuar afro 170 gola, njeriu i rrallë për nga edukata, mirësjellja dhe komunikimi me shokët e skuadrës, trajnerët e kundërshtarët, i dha lamtumirën futbollit me dinjitet dhe, pa dyshim, madhështisht. Dhe Tirana, tiranasit dhe shqiptarët, e jo vetëm ata, nuk do ta harrojnë kurrë njeriun dhe futbollistin "fluturues" në çdo aspekt. Ai tashmë ka hyrë në panteonin e shquarësisë së futbollit shqiptar.
Po Tirana e Fortuzit pse u zvarrit? Në radhë të parë, skuadra e Tiranës që në qershorin e vitit të kaluar u duk se nuk do të kishte ecuri të mirë, pasi donatorët bënë gabimin e parë, duke larguar 9 lojtarë, një pjesë e të cilëve për Shqipërinë ishin lojtarë klasi dhe zëvendësimi i tyre vërtet që do të bëhej, por asnjëherë nuk arriti kuotat e larta të tyre. Dihet që një ekip, që të formohet, duhet të paktën disa vjet, kur nuk konservohet të paktën baza kryesore e lojtarëve të ekipit për t'u formuar. Asnjë ekip në botë (dhe këtu flas për ekipe që ndërtohen për të rrëmbyer trofe) nuk largon nga ekipi 9 lojtarë. Së dyti, pa kaluar tri javë, hiqet nga ekipi për "mosrezultat" trajneri i njohur dhe me dituri Starova (!!!) dhe vjen një trajner tjetër po me eksperiencë e dituri, Astrit Hafizi. Trajneri shkodran Hafizi punon me përkushtim për rreth 150 ditë dhe arrin të krijojë një Tiranë të bukur, duke gërshetuar eksperiencën me rininë dhe lojtarë të tillë si Sefa, Çapja, Fagu dhe Arapi paraqitën vlerat e tyre më të mira, që, më vonë, pas largimit të Hafizit, nuk ishin në të njëjtat kuota. Për 15 javë shkodrani grumbulloi 26 pikë dhe barazimi dinjitoz me skuadrën e Elbasanit 2‑2 në javën e 18‑të në Tiranë me atë Elbasan të vendit të tretë me 30 pikë dhe një skuadër dinjitoze në katër vitet e fundit, u quajt nga donatorët një turp(!). Se çfarë turpi kish bërë Hafizi nuk u mor vesh as më vonë. Mbrëmjen e vonë të së dielës së 3 shkurtit 2008 Hafizi ish shkarkuar sikur ishte njeriu i "kataklizmës" bardheblu. Erdhi në ekip një figurë e madhe e futbollit tiranas, Sulejman Mema, edhe ky një personalitet i trajningut tiranas. Trajnerët me "gjak jobardheblu" ishin larguar. Por ç'do të bënte në 13 javë Mema shumë aktiv e pasionant? Çfarë revolucioni mund të bënte Mema kur edhe qendërmbrojtësi i famshëm i Tiranës, Nevil Dede, kish marrë leje nga donatorët dhe ish "arratisur" në Kinën e largët, pavarësisht se ishte zëvendësuar nga shtatlarti Kçira, por që nuk rezultoi aq me vlera sa tiranasi ekskluziv dhe i ushtruar shumë vjet me shokët e skuadrës. Kohë për revolucion nuk kishte Mema, pasi donatorët i kishin thënë për të luftuar sërish për kampionat dhe për të marrë Kupën e Shqipërisë. Tirana në 13 ndeshje grumbulloi 17 pikë dhe humbi finalen e kupës. Për mua Mema solli risi, sidomos në aspektin taktik, duke e bërë Duron që të ishte i barabartë me të tjerët në top dhe të ishte më efektiv, por skuadra nuk arriti formimin e duhur se edhe taktikat e koordinimet me lojtarët duan kohë. Me të drejtë donatorët nuk e lejuan këto ditë dorëheqjen e Memës, por i dhanë votëbesim sërish. Shpresoj që t'i japin votëbesim edhe për vitin e ardhshëm, pasi është një trajner tepër grintioz. Së treti, tek Tirana nuk ka një koncept afatgjatë për vazhdimësinë e një klubi të madh, që lidhet me kapacitetet e reja futbollistike që ndodhen tek të rinjtë për t'u integruar tek të rriturit, kur dihet që atje ndodhen jo pak talente (të rinjtë u shpallën sivjet kampion). Nuk mund të krijohet një ekip i madh vetëm me blerje lojtarësh nga skuadra të vendit apo të huaja, pa ndonjë talent të madh. Tirana ka qenë djepi i talenteve të të gjitha ekipeve përfaqësuese që i kanë dhënë vendit disa rezultate befasuese (6‑7 lojtarë kanë qenë të Tiranës në rezultatet 2‑0 dhe 2‑2 kundër Belgjikës dhe Polonisë në vjeshtë-dimrin e vitit 1984 për eliminatoret e Botërorit 1986). Tirana duhet të marrë shembull nga vendosmëria e stafit të Partizanit për të aktivizuar lojtarë të akademisë së vet. Së katërti, Tirana kërkon një mendim shkencor në menaxhimin e klubit, qoftë edhe duke importuar të huaj. Sidoqoftë, Tirana dhe donatorët e saj do ta kuptojnë se mendimi i përparuar, profesional, i urtë dhe i panxituar, jo i çastit, do të jetë baza e sukseve të Tiranës në të ardhmen.