Daniele De Rosi e bëri të gjithë atë që duhej të bënte. Ai luajti si një kapiten i vërtetë, ekzekutoi dhe shënoi një goditje dënimi si kapiten, çka rezultoi vendimtar për të mposhtur Atalantën. Dhe tani, si kapiten, ai do të udhëheqë Romën, në një prej transfertave më të rëndësishme të historisë së tij. "Do të luftojmë deri në minutën e fundit, Siena meriton nderimet më të mëdha, - tha De Rosi, - shpeshherë kampionati italian krahasohet me atë anglez, duke nënvizuar sportivitetin që ekziston në Premier Ligë, ndaj heqim kapelen përpara kësaj Siene." Dhe tani, De Rosi e ka mendjen te ndeshja ndaj Katanias, por pa krijuar ndonjë iluzion: "Jemi gjithnjë pas Interit dhe do të jetë e vështirë të fitojmë në Katania, - shpjegoi mesfushori verdhekuq, - të dielën do të luhen dy ndeshje të vërteta, ashtu sikurse ishin edhe ato të sotmet (dje). Ndërkohë, ka qenë një lumturi e madhe që kemi mundur të gëzojmë së bashku me tifozët tanë, për një kampionat që vazhdon ende. Interit i mjafton të fitojë në Parmë për t'u shpallur kampion i Italisë, ata nuk kanë nevojë as për radio dhe as për gjë tjetër, i duhet vetëm të fitojnë. Ne do të shkojmë në Katania tejet entuziastë, stimujt janë të shumtë." Në fund, ja, cila ka qenë ulërima e tij e betejës: "Roma me siguri e meriton këtë titull, mbase është skuadra që e meriton më shumë. Kemi bërë duel gjithë vitin me një skuadër të madhe, Interi ka lojtarë të mëdhenj, meritojnë shumë respekt edhe ata, por ne shpresojmë ende."
TOTI - Françesko Toti, i cili më parë ndodhej në tribunë dhe më pas doli anash fushës me shokët, për të përshëndetur publikun që festonte në Olimpiko, tashmë ka hedhur dorashkën e sfidës, në kuadër të javës së fundit, kur do të vendoset titulli: "Është një ditë e madhe për Romën, tani të shohim se si e kemi të shkruar fatin. Do të jenë 90 minuta të zjarrta, ne nuk kemi se çfarë të humbasim."
SPALETI ‑ "Donim një shans dhe ia krijuam vetë vetes." Roma e Luçiano Spaletit është ende në lojë për titullin. Kur na ndajnë 90 minuta nga përfundimi i kampionatit, verdhekuqtë ndodhen vetëm 1 pikë larg Interit. "Ne e kemi bërë kampionatin tonë, - tha ai. - Ka qenë një sezon i gjatë, kemi edhe një ndeshje dhe do ta luajmë me synimin për të marrë maksimumin. Nuk kemi përse të qahemi për asgjë. Ta mbyllësh kampionatin me shifra të tilla është diçka e shkëlqyer."