Nën thirrjen: "Shkoni të punoni!", rreth 200 tifozë të Interit e kanë kundërshtuar skuadrën zikaltër, ndërkohë që lojtarët po largoheshin nga stadiumi San Siro me autobusin e klubit. Të zhgënjyer për barazimin ndaj Sienës, çka bëri që të anulloheshin festimet për titullin, tifozët më të zjarrtë zikaltër u mblodhën jashtë stadiumit, për të protestuar kundër lojtarëve, të cilët u akuzuan si "mercenarë", ndërsa trajneri, si "shumë arrogant". Objekt i kundërshtimeve më të ashpra ka qenë Marko Materaci, i cili gaboi penalltinë vendimtare. Me Materacin u inatos edhe presidenti Morati gjatë ndeshjes. Dhe, kësaj here, ai ka qenë dakord me Mançinin, për sa i takon sharjes përbuzëse karshi lojtarit. Dhe lëvizja e buzëve të tyre, pas penalltisë së gabuar nga mbrojtësi, është më mirë të mos përkthehet. Kjo, për përmbajtjen banale, por edhe për disa fjalë të pakuptueshme. Disa fjalë, që dolën nga goja e presidentit, kuptoheshin qartë dhe, në fakt, ai tha: "Materaci! Humbën ndeshjen prej teje!", ndërsa ulërimat e Mançinit desh u dëgjuan edhe në ekran.
Dhe për sa i takon 11-metërshit, Mançini sqaroi: "Gjuajtësit e penalltive ishin sipas radhës Kruzi, Baloteli dhe Materaci", - duke lënë të nënkuptohet se, në pikën e bardhë të penalltisë, nuk duhej të ishte paraqitur mbrojtësi. Por sidoqoftë, tekniku u përpoq ta minimizonte çështjen: "Penalltitë mund të gabohen, - tha ai për SKY, ‑ edhe Kruzi mund ta kishte gabuar. Ne shpresonim të mos ndodhte, por ky është futbolli." Por duhet shqyrtuar mirë, me pamjet televizive, zanafilla e 11-metërshit. Materaci e fitoi vetë, pas tërrheqjeve reciproke me Riganonë. Më pas, ai shkoi ta merrte topin dhe nuk ia la Kruzit që ia kërkonte. Shokët, dhe mbi të gjitha Maikoni, e larguan argjentinasin duke u përpjekur ta bindnin, por më kot. Shkakton habi fakti që, pavarësisht se lista njihej nga të gjithë zikaltrit, as kapiteni Zaneti, dhe as Kambiaso, nuk tentuan ta bindnin Materacin të hiqte dorë nga penalltia. Ishte një pasdite mjaft negative për lojtarin italian, i cili më pas pengoi me trupin e tij edhe një gjuajtje të një shoku të skuadrës drejt portës ("Çfarë dreqin do në sulm?", - ulëriti Mançini nga stoli). Por a ka frikë tani Interi se mund ta humbasë titullin? "Jo, absolutisht, por tani duhet të shkojmë të fitojmë në Parmë, - tha më tej trajneri. - Sot (dje) mund ta kishim fituar kampionatin, por nuk duhet të ndiejmë brengë që nuk luajtëm mirë, sepse krijuam shumë raste. Isha i inatosur, vetëm sepse, kur rezultati ishte 2-2, e humbëm logjikën." Lidhur me ndeshjen që e pret Interin në fushën e Parmës, Mançini pohoi: "Cilësitë për të fituar i kemi, për fat të keq do të jetë një ndeshje e rëndë dhe, kush do të humbasë, do të ketë shumë probleme. Por, nga ana tjetër, edhe Roma do të ketë një sfidë të vështirë në Katania." "Nëse kemi frikë? Jo, absolutisht." Sokol KONDI