Kristian Abiati do të kthehet në Milano. Është një nga pikat e pakta të sigurta të situatës në evoluim: situata e portierëve të Milanit. Rreth Kalacit, shumë gjëra do të ndryshojnë sezonin e ardhshëm. Abiati është përshtatur mirë në Madrid, por sigurisht nuk do të qëndrojë përjetë me fanellën e Atletikos. Jeton në një zonë rezidenciale pranë fushës së stërvitjes, e ka regjistruar vajzën në shkollën italiane, që frekuentohet edhe nga fëmijët e Kanavaros; është përshtatur mirë me jetën e qytetit, por nuk ka shkaktuar asnjëherë mister mbi kthimin në Milano. Ka qenë titullar për shumë kohë, pastaj erdhi Leo Franko dhe u ul në stol. Atletiko është i katërti në Ligë dhe vitin e ardhshëm luan në Champion, por edhe Milani është në vend të katërt, ndaj s'do të kishte arsye të qëndronte në Spanjë. Dhe periudha e huazimit të portierit milanist tashmë ka mbaruar. E ka thënë zëvendëspresidenti Galiani, e ka thënë edhe trajneri Ançeloti: Abiati do të kthehet! Në hierarkinë e re i pari është Zheljko Kalac, që fitoi vendin që ishte i Didës për tre vjet. Për sa i takon brazilianit, atij do t'i zgjidhet kontrata: Dida mund të kthehet në Brazil me dy vjet rrogë në xhep nga ana e Milanit. Valerio Fiori do ta mbyllë me futbollin e luajtur dhe do të kalojë direkt, nga roli i portierit të tretë tek ai i sektorit teknik. Storari do të qëndrojë në Kaljari; i pasigurt për momentin rikthimi i Kopolës; Atalanta i ka propozuar të qëndrojë, duke e shndërruar huazimin në bashkëpronësi, ndërsa ai po pret të shohë çfarë do të ndodhë në Milano. Zgjidhja më e mundshme është që Milani të paraqitet në sezonin që vjen me këtë hierarki provizore: Kalac, Abiati, Kopola.