Arritja, ajo me "A", lind nga përshtatja, miqësia, marrëdhënia: emocione dhe ndjenja, që goli dhe fitoret të arrihen, ndërsa numrat flasin vetë. Milani në 5 ndeshjet e fundit të kampionatit ka shënuar 16 gola: 9 janë të Filipo Inzagit, 5 të Rikardo Kakasë, 1 për kokë nga Sedorfi dhe Pato. Aq më shumë, kur fitorja ndaj Interit në derbi javën e shkuar u arrit falë dyshes Pipo-Riki. Inzagi-Kaka, Kaka-Inzagi; njëri pason, tjetri shënon, njëri dribon dhe kroson, tjetri e ka të lehtë ta lëshojë topin në rrjetë, ndonëse është 35 vjeç.
E VËRTETA - Përmbysja e pranverës për Milanin vjen nga kjo dyshe: të dy kërkohen, flasin, lëvizin në sintoni dhe kundërshtarët dorëzohen. E vërtetë është se e kanë kuptuar së bashku që njëri mund të jetë fati i tjetrit. Edhe këtu janë kronikat që tregojnë bukurinë e momenteve. E di sa gola ka shënuar Inzagi në tri finalet e zhvilluara më 2007-n? 5: dygolësh kundër Liverpulit në Ligën e Kampioneve dhe kundër Boka Zhuniorsit në Botërorin për Klube dhe 1 gol kundër Seviljes në Superkupën Europiane. Dhe e di sa, nga këto 5 fitore, vijnë nga pasimet e Kakasë? 3: goli i dytë kundër "të kuqve" dhe dy të shënuar në Tokio. Ka përshtatje, pra. Dhe ata që sajojnë akoma historinë e egoizmit, por mjafton t'u tregosh njerëzve këto shifra, që ta besojnë. Inzagi nuk do të jetë përjetë, është e vërtetë, por tani Milani është mësuar me nuhatjen e tij për gol. Asnjë në Itali nuk e ka mesataren e tij shënuese (1 gol në çdo 98 minuta). Nuk është rastësi që Karlo Ançeloti nuk pati asnjë moment hezitimi, teksa përgatiti formacionin anti-Inter dhe vendosi disa ditë para që dyshja e sulmit të ishte Kaka-Inzagi. E kush i ndalon ata të dy? Po përjetojnë një formë të mirë, vrapojnë dhe është kënaqësi t'i shohësh, pasi nuk janë asnjëherë të lodhur. Inzagi përgatitet si gjithnjë, Kaka lexon ndonjë libër dhe përqendrohet. Dhe pastaj, të dy së bashku në fushë për fitore. Të dy së bashku, duke luajtur për njëri-tjetrin.
KAKA: ÇFARË DYSHE! - Dhe pikërisht "përmbysja" erdhi në momenti më të rëndësishëm të sezonit. "Topi i Artë" kurorëzon Inzagin, sulmuesi që ka lëshuar Milanin drejt një vendi në Champions me golat e tij. "Përshtatja jonë është përmirësuar shumë, - thotë braziliani. - Në fushë shihemi shpesh dhe arrij të jap pasime që i pëlqejnë si atij, por po ashtu edhe mua. Është një moment special si dyshe, dhe shpresojmë t'i përfundojmë mirë edhe këto dy ndeshje.
Përmbysja erdhi te goli i dytë në Athinë." Një "miks" talenti dhe cinizmi i përsosur, pra. Por Kaka nuk lodhet më për të gjetur karakteristikën më të mirë të Inzagit: "Është ajo që beson deri në fund, nuk heq dorë asnjëherë së ndjekuri topin derisa të dalë jashtë. Ishte lojtari i vetëm që mundi të ishte në krosimin që dhashë në ndeshjen ndaj Interit të dielën, dhe për këtë Pipo është i veçantë".
Erion ABULE