Laçianët iu kthyen fitores në fushën e tyre, teksa mundën 2-1 Luftëtarin, duke "zgjuar" shpresat për të kapur objektivin, kalimin në kategorinë superiore. Eshtë zhvilluar një ndeshje korrekte, ku të dy ekipet kanë treguar grintë në fushë, duke kënaqur kështu edhe interesimin e sportdashësve kurbinas. Loja ka nisur e shpejtë, ku të dyja palët kërkonin të shënonin. Gjithsesi, pas minutave të para të barabarta, vendësit marrin iniciativën dhe arrijnë të zhvendosin lojën në gjysmëfushën gjirokastrite. Këta të fundit vihen disa herë në vështirësi, por arrijnë të mbrohen mirë, madje edhe të kundërsulmojnë rrezikshëm. Rastin më të bukur për Laçin e pati sulmuesi Ahi, që ka vënë në provë Kazmën, por ky i fundit reagoi mirë. Më pas është përsëri shkodrani Ahi protagonist, por pa rezultat, duke u treguar i nxituar në finalizimin e aksioneve. Gjithsesi, në minutën e 19-të, sulmuesi ka goditur bukur me kokë, por topi nuk i është bindur, pasi është përplasur në shtyllë. Organizatori i laçianëve, Muçollari, hap bukur lojën nga krahët, duke i dhënë më shumë "frymëmarrje" sulmit. Dhe si rezultat i presionit në portën mike, në minutën e 33-të, Shazivari nuk ka gabuar, teksa ka gjuajtur bukur dhe ka kaluar në avantazh Laçin, 1-0. Pas gjashtë minutash, është i palodhuri Mustafaraj ai që ka dyfishuar rezultatin, pas një asisti të dhënë nga Muçollari. Me rezultatin e pastër 2-0 u mbyll pjesa e parë, ndërkohë që në 45 minutat e dyta loja për Luftëtarin ndryshoi. Trajneri i gjirokastritëve, Petraq Bifsha, e udhëzoi mirë ekipin, duke kërkuar të baraspeshojë gjithçka falë lojës sulmuese. Megjithatë, edhe vendësit nuk qëndrojnë pasivë. Ata mundën t'i thyejnë aksionet e miqve jo me shumë vështirësi. Për Laçin në këtë takim duhet theksuar rikthimi i Sefgjinit, i cili vjen pas një dëmtimi të gjatë. Gjithashtu, disa minuta ka luajtur edhe sulmuesi Tanushi, po ashtu i dëmtuar. Të dy lojtarët janë përshtatur mirë, por është Luftëtari që shënon. Sulmuesi Lamnica, në kufijtë e zonës së rreptësisë ka gjuajtur bukur dhe topi pasi është përplasur tek mbrojtësi Dollaku, ka përfunduar në rrjetë. Në minutat në vazhdim nuk ka asgjë për të shënuar dhe përfundimisht ndeshja mbyllet me një fitore mjaft të rëndësishme për Laçin, që vinte pas humbjes dramatike në Burrel.
Thanë pas ndeshjes...
Stavri Nica, trajner i Laçit: "Krijuam shumë raste për shënim, duke mbajtur nën presion kundërshtarin. Djemtë treguan një shpirt të lartë gare dhe e merituan fitoren. Mund të them se nuk heqim dorë nga pretendimet për të kaluar në kategorinë superiore, deri në ndeshje e fundit të kampionatit. Jam i kënaqur që ekipi e kaloi atë "traumë" psikologjike që përjetoi në Burrel. Kjo më bën që të besoj deri në fund për realizimin e objektivave."
Petraq Bifsha, trajner i Laçit: "Uroj ekipin e Laçit për fitoren. Për nga mënyra se si u zhvillua loja, edhe mund ta kishim barazuar rezultatin. Mungesa e portierit Bakaj krijoi probleme të pasigurisë në ekip, çka ndikoi në rezultat. Pashë një Laç të motivuar dhe një fushë të shkëlqyer. Mendoj se për të tilla kushte ka nevojë futbolli në vendin tonë. Pavarësisht se humbëm, jam i kënaqur nga loja e ekipit tim, i cili u përpoq të tregonte vlerat më të mira."