Fitoi Felipe Masa në Çmimin e tretë të Madh radhazi në Turqi. Një rezultat ky që ishte lehtësisht i parashikueshëm. Megjithatë braziliani ia doli mbanë pas një gare të lëvizur, për shkak të zgjedhjes së McLaren, për të përdorur një taktikë me tre dhe jo dy pushime për Ljuis Hemiltonin. Megjithatë, as kjo nuk i mjaftoi anglezit për të fituar. Megjithatë, kjo i dha një të shkundur garës, duke dhuruar edhe një parakalim shumë të bukur, me anë të të cilit Ljuisi mori kryesimin në gjysmë të garës, duke ia kaluar pikërisht Masës.
NISJA ‑ Në nisje, Felipe u shkëput mirë nga vendi i parë, i ndjekur pikërisht nga Hemilton, (që fitoi një pozicion), dhe nga BMW e Robert Kubikës, (që fitoi dy pozicione, duke kaluar nga vendi i pesë në të tretin). Raikonen ndërkaq u nis keq, duke humbur dy vende: u detyrua të frenonte në kthesën e parë për të shmangur Kovalainenin para tij dhe u parakalua nga Alonso me Renault, të cilin Kimi e hoqi qafe lehtësisht më pas. Ndër të tjera, me gjithë freninimin, ferraristi preku edhe bashkëatdhetarin e McLaren në kthesën e parë, që pësoi një çarje të njërës gomë, duke u detyruar që të rikthehet në bokse për ndërrimin e saj, lëvizje që e ktheu në garë nga vendi i fundit.
GOMAT ‑ Çelsi në duelin për kreun ishin pikërisht gomat. Ferrari parapëlqeu gomat e buta, duke përshkuar me këto fazën e parë dhe të dytë të garës. McLaren e Hemiltonit u nis me gomat Bridgestone të forta në tri fazat e para të garës, sepse të butat i përdori vetëm në fazën përfundimtare. Që gjatë provave, ishte parë se Ferrarit i ecte shumë mirë me gomat më të buta, ndryshe nga njëvendëshet kundërshtare. E, në fakt, pikërisht në fund, Hemilton hasi në vështirësi.
PIKET ‑ Pas krahëve të fytyrave tashmë të njohura të podiumit gjejmë Kubikën të katërtin e më pas, në zonën e pikëve, Hajdfeldin me BMW, Alonson me Renault, Veberin me Red Bull dhe Rozbergun e Williams. Në vendin e dhjetë u rendit Jarno Truli me një Toyota, që u duk disi në vështirësi. Shumë keq Xhankarlo Fizikela, që doli jashtë piste, që në kthesën e parë, pasi i hipi përsipër makinës Williams të Nakazhimës. Piloti roman akuzoi në fund Burdenë se i kishte prerë shumë keq rrugën, ndërsa francezi e mohoi këtë. Në renditjen e Botërorit kryeson gjithmonë Raikonen me 35 pikë, ndjekur nga Hemilton e Masa me nga 28 pikë.
G.Puto
Çmimi i Madh i Turqisë
Renditja e garës
1.F.MasaFerrari1h26'49"451
2.L.HamiltonMcLaren+3"779
3.K.RaikonenFerrari+4"271
4.R.KubikaBMW+21"945
5.N.HeidfeldBMW+38"741
6.F.AlonsoRenault+53"724
7.M.VeberRed Bull+1'04"229
8.N.RozbergWilliams+1'11"406
9.D.KultardRed Bull+1'15"270
10.J.TruliToyota+1'16"344
11.Xh.BatonHonda+1 xhiro
12.H.KovalainenMcLaren+1 xhiro
13.T.GlokToyota+1 xhiro
14.R.BarrikeloHonda+1 xhiro
15.N.Pike Jr.Renault+1 xhiro
16.A.SutilForce India+1 xhiro
17.S.VetelToro Rosso+1 xhiro
18.S.BurdisToro Rosso(i tërhequr)
19.K.NakaxhimaWilliams(i tërhequr)
20.Xh.FizikelaForce India(i tërhequr)
F.MASA ‑ NOTA 10
Besoi që prej ditës së enjte, sepse pas dy "pole position" radhazi në Turqi siguroi edhe të tretën. Kështu që, rregulla e "nuk ka dy pa tre" hyri në fuqi edhe për podiumin më të lartë. Djaloshi ka ende vështirësi për të pranuar rolin e pilotit mbështetës dhe herë pas here zgjohet, sidomos në pistat që i do shumë. Stambolli është dukshëm më e pëlqyera për të dhe Masa u tregua i fortë gjatë gjithë fundjavës, duke mos rënë në kurthin e së dielës, përgatitur nga McLaren, me Hemiltonin që do të përdorte strategjinë e tre pushimeve në bokse.
K.RAIKONEN ‑ NOTA 6,5
Sa më shumë që ta ngresh, aq më shumë ai hidhet poshtë. Kapërceu problemin në kambio, që e bllokoi në bokse të premten mbrëma, por Kimi, më pas, nuk bëri asgjë për të ndryshuar rrjedhën e garës. Edhe në Turqi pati probleme me "binjakun e keq", atë që dukej se kishte mbetur në Bahrein, duke u zëvendësuar në Barcelonë me "binjakun e mirë", për të arritur fitoren e dytë. E kotë ishte në fund përpjekja, për t'i rrëmbyer vendin Hemiltonit. Për të ruajtur qetësinë në krye të renditjes, atij i duhet më tepër vazhdimësi në aspektin e përqendrimit.
L.HAMILTON ‑ NOTA 8,5
Pasi kuptoi se letrat më të mira i kishte në dorë Ferrari, ai u përpoq të bënte bllof me një tresh. Me tre pushime në bokse, për të hapur lojën e për ta bërë ndeshjen më të paparashikueshme. Në kurthin e ngritur ra vetëm një makinë e kuqe, ajo më e rëndësishmja. Shenjë që operacioni pati sukses. Raikonen është më pranë tani në renditje, pikët që i ndajnë janë vetëm shtatë dhe Botërori mbetet kështu shumë i hapur për Ljuisin. Vendi i dytë në Stamboll vlen sa një fitore.