"Do të kërkoj pasaportën e këtij vendi!", bëri shaka Masa, pas fitores së tretë radhazi në Stamboll, duke shprehur gjithë mirënjohjen e tij për pistën turke. Një vend që është absolutisht magjik për të.
BETEJE E ASHPER ‑ "Ishte një garë tepër e vështirë", tregoi braziliani në fund. "Hemilton ushtroi shumë trysni ndaj meje që prej fillimit. Madje, ai arriti edhe të më parakalonte e në ato çaste pyetëm veten duke shpresuar që ai të kishte një pushim më tepër në bokse. Në fakt, kështu ndodhi dhe, pas kësaj, arrita të kthehesha në vendin tim dhe të fitoja. Sinqerisht ishte shumë e vështirë të zgjidhje midis gomave në dispozicion: diferenca midis të butave dhe të fortave ishte vërtet e vogël dhe gjatë provave Ljuisi u tregua i shpejtë me gomat e forta. Nuk e mohoj që patëm disa dyshime, duke menduar edhe se ishte e gabuar të përdornim gomat e buta. Ama na eci mirë kështu".
ZHGENJIM PERGJYSME ‑ Gara e Raikonenit u vendos kryesisht në nisje. Atëherë kur preku me krahun e përparmë Kovalainenit: pilotit të McLaren iu ça goma, por edhe ai pësoi ndoshta dëmtime në makinë. "Nuk mund të lumturohem për atë nisje", u shpreh Kimi. "Eshtë për të ardhur keq, por gjëra që ndodhin. Nuk di se si do të më kishte shkuar pa atë prekje të Heikit. Ishte një fundjavë e vështirë, por duheshin pikë. Mbërrita i treti, kështu që synimin e përmbusha. Ama, gjatë provave, nuk arrita ndonjë kohë të jashtëzakonshme dhe që të premten kishim patur disa probleme. Megjithatë, në përgjithësi, vendi i tretë më shkon për shtat. Do të përpiqemi të kërkojmë shpagim në dy garat e ardhshme (Montekarlo dhe Kanada), që, një vit më parë, ishin një dështim i plotë për ne".
G.PUTO
Hemilton: Të fortë, por jo mjaftueshëm
Ljuis Hemilton u detyrua të kënaqej me vendin e dytë në Turqi, pas krahëve të Ferrarit të Felipe Masës. Një renditje që e kënaq anglezin, por jo deri në fund. "Mirë është edhe kështu, por ndihem vetëm pjesërisht i zhgënjyer që nuk e ruajta deri në fund vendin e parë", pranoi Hemilton. "Teknikët tanë kanë bërë sidoqoftë një punë të jashtëzakonshme. Gara shkoi ashtu si duhej, e ndoshta humba pak kohë në mesin saj". Vështirë të vendosej për strategjinë për t'u përdorur në garë: për Hemiltonin, skuderia vendosi për tre pushimet. Një zgjedhje e rrezikshme, si ajo e gomave për t'u përdorur. "Unë fillova të ecja fort pas pushimit të parë, sepse e dija strategjinë time. Jam i kënaqur, më shumë se gjatë provave", vijoi anglezi. "Tre pit stope? Kishim menduar të përdornim një strategji të veçantë, duke parë edhe përvojën e vitit të kaluar. Ishim të fortë, por jo aq sa duhej për të fituar. Megjithatë dhamë më të mirën tonë, unë dhe gjithë skuadra".
Renditja e përgjithshme
Pilotët
1.Kimi Raikonen35
2.Felipe Masa28
2.Ljuis Hamilton28
4.Robert Kubika24
5.Nik Heidfeld20
6.Heki Kovalainen14
7.Mark Veber10
8.Jarno Truli9
8.Fernando Alonso9
10.Niko Rozberg8
11.Kazuki Nakaxhima5
12.Xhenson Baton3
13.Sebastian Burdis2
Konstruktorët
1.Ferrari63
2.BMW44
3.McLaren42
4.Williams13
5.Red Bull10
6.Toyota9
6.Renault9
8.Honda3
9.Toro Roso2