FSHP-ja mbajti krahun e Genc Barkiçit për në Olimpiadë
Lefter Panxhi
Unë që po ju shkruaj këtë letër quhem Lefter Panxhi. Para disa ditësh, në gazetën lexova një artikull se trajneri i ekipit të Elbasanit në peshëngritje, Ilir Çela, nuk do të merrte pjesë në Olimpiadën e Kinës. Aty mësova se në Kinë do të niseshin dy trajnerë të tjerë, Hektor Shaqiri dhe Genc Barkiçi. Kurse trajneri i ekipit kampion Elbasani dhe i Gerti Trashës, Ilir Çela, kishte mbetur jashtë liste. Kur peshëngritësi i tij Gerti Trasha do të marrë pjesë në Olimpiadë, ku priten rezultate të larta nga ky peshëngritës me perspektivë, del pyetja: Pse Ilir Çela të mos e shoqërojë peshëngritësin e vet drejt Kinës? Kjo për mua dhe shumë të tjerë na vë në dyshim të madh. Federatën e Peshëngritjes e drejtojnë dy shkodranë, Esat Ademi dhe Ilir Kraja. Nuk jam kundër Genc Barkiçit, që të mos udhëtojë drejt Kinës, se edhe ai ka një peshëngritës të shkëlqyer, siç është Erkand Qerimaj. Por kjo të le të dyshosh në këtë drejtim. Prandaj, si çdo sportdashës tjetër në Elbasan, kjo na lë të dyshojmë. I lutemi FSHP-së, në veçanti presidentit Esat Ademi dhe sekretarit Ilir Kraja, që të gjendet mundësia që edhe trajnerit të ekipit të Elbasanit, Ilir Çelës, që ka dhënë shumë rekorde e medalje, të udhëtojë drejt Pekinit, bashkë me sportistin e tij Gerti Trasha. Kjo do t'i heqë gjithë ato hamendje që kanë lindur këto ditë në Elbasan se FSHP-në e drejtojnë dy shkodranë dhe logjika të çon atje. Këtë e kam hasur në shumë njerëz që më pyesin. Pse e kishin hequr Ilirin si trajner të ekipit kombëtar?
Dhunën ta ndalin drejtuesit, pastaj tifozët!
Eugen T.
Realiteti i futbollit shqiptar ky është dhe ne nuk mund ta ndryshojmë. Në këtë rubrikë që është e hapur për ne tifozët e thjeshtë, që ndoshta shpesh mund të shprehim edhe ndonjë mendim të gabuar, po flitet shumë për dhunën nëpër stadiumet tonë. Flitet shumë për masat që duhet të marrë FSHF-ja, për qëndrimin e ashpër që duhet të mbajnë komisionet përkatëse në FSHF etj., etj. Për mendimin tim, të gjitha këto janë masa që nuk mund ta ndryshojnë këtë realitet. Sepse më parë duhet të ndryshojë mentaliteti i drejtuesve tanë të shtetit, i deputetëve që shpesh janë pranë skuadrave të rretheve të tyre apo të kryetarëve të bashkisë që e përdorin suportin financiar për futbollin për të përfituar politikisht. Si mund të flasim për dhunën e tifozëve, kur dëgjojmë se edhe deputeti tenton të godasë me grusht, apo ofendon më libër shtëpie? Si mund të pretendojmë për sjellje normale të tifozëve kur janë presidentët e skuadrave (të më falin një pjesë e ndershme e kësaj kategorie) që e kërkojnë fitoren me çdo kusht, duke u thënë futbollistëve apo tifozëve të sillen si harbutë? Ju lutem shumë, mos u kërkoni llogari tifozëve të thjeshtë, sepse ata janë të fundit që kanë faj. Ata nxiten nga vetë këta pseudodrejtues, që nuk japin shembullim e kulturës sportive, po bëjnë të kundërtën, duke na bërë të mendojmë se përsëri kemi tifozë të kulturuar, në krahasim me ata që janë në krye të skuadrave.
Partizan, shkatërroje edhe Vllazninë e kupës!
Rimi, Tiranë
Kam dëgjuar dhe lexuar se stafi shkodran dhe futbollistët e Vllaznisë kanë deklaruar se do të vijnë të festojnë edhe në Tiranë, por nuk besoj se janë kaq të fuqishëm sa hiqen. Ne nuk jemi Tirana, por Partizani, dhe sado të fortë të hiqeni, as që mund të krahasoni me këtë legjendë. Nuk mund të krahasoheni me Partizanin, sepse nuk e keni cilësinë e skuadrës së kuqe. Ne si tifozë të zjarrtë kërkojmë që ekipi ynë i zemrës të përqendrohet maksimalisht në këtë ndeshje, sepse të tjerët punojnë nën rrogoz. Një gabim i yni në këtë ndeshje hedh në erë gjithë sezonin. Këtë e kam për tifozët që duan titullin dhe për drejtuesit që mund të mendojnë se e kanë arritur objektivin me një vend në kupat e Europës. Edhe diçka për Dajën. Do Zoti i dalin ëndrrat dhe del "2" me Besën, që ta qetësojë deri në ndeshjen e fundit. U bëj thirrje futbollistëve ta shkatërrojnë kundërshtarin e radhës.
Vllazni, e gëzofsh kupën pas 21 vjetësh!
Në gëzime moj Vllazni!
Ty të përshëndet një "zonjë e randë",
Kur ju ka pa në televizor,
"Trimërisht", ashtë ngritë në kambë.
Jozefinë, trimëreshë e Shkodrës,
Ke lan nam t'merkurën mrama,
Hape dyert e Parlamentit,
Për me pritë këta "harushana".
Kur kanë dalë nga Parlamenti,
Nuk kanë shku n'shpi me pushu,
Por jemi mledhun t'tanë s'bashku,
Të gjithë në Piacë për me festu.
Po qesh plaku, bre lum miku,
Ky Valteri djalë "dai",
Autoritetin i ktheu Shkodrës,
I ka të rrallë shokët n'Shqipni.
Për me folë kundër Valterit,
Mor lum miku s'asht kollaj,
Kush dol' ma burrë se presidenti,
Me sjellë n'Shkodër kupën e gjashtë?
I erdhi dita dhe Vllaznisë,
Nuk ka prit "shumë", 21 vjet,
Me i diftu aftësitë e veta,
Me e gëzu mbarë një qytet.
Të përshëndes o moj Vllazni!
Me sportdashës qindra e mijëra,
Që prunë kupën brenda n'Shkodër,
Larguan Tiranën nga historia.
Po ia marr kangës me lodër:
Lule t'bukura moj Vllazni,
Nji kta djem që lujnë për Shkodrën
Nderun vedin tok me ty.
Ka luajt fort e tanë Vllaznia,
Kupën tash për ta fitu,
Priste Shkodra me padurim,
Djemt e saj me i përqafu.
U mundu me e lujt pak topin
Nja'i Hyka çamarroku,
Por Suat Lici djalë azgani
Trimërisht ia vuni gjoksin.
Xhevahir ti e ke emrin,
Por si ar ti e ke vlerën,
Me golin e dytë ndaj Tiranës
Ia rrite vetes ma shumë nderën
O Sinan, ty t'marrsha t'keqen!
Mungesa e jote pak u ni,
Vlerat e tua nuk diskutohen,
Se ke lan nam ti për Vllazni.
Këtë Dervishin e Armandon,
I përshndes me një kangë me lodër,
Se rrëmbyet kupen e gjashtë,
Ngritët n'kambë mbarë një Shkodër..
Moj Vllazni, moj tarravole,
Me rini more përpjetë,
pak na u duke, shum na dole,
Fito titullin sot një vjet.
Arditi, Shkodër