Sulmuesi i Shalkes, Kevin Kuranji, ka besim se Gjermania do të fitojë titullin e kampionit të Europës. "Pa dyshim Gjermani, ta premtoj titullin! Për këtë jam i sigurt. Kemi dy vite, që rritemi shumë si skuadër dhe tani jemi kaq të fortë, sa të pretendojmë fronin e Europës", u shpreh braziliani i natyralizuar për të përditshmen "Bild". Sulmuesi 26‑vjeçar është i bindur, se ai do të jetë pjesë e kombëtares gjermane për turneun në Austri dhe Zvicër. Përpara Kupës së Botës 2006, ai mbeti shumë i habitur kur nuk e pa emrin e tij në listën përfundimtare të të grumbulluarve: "Natyrisht që për mua ishte një zhgënjim i jashtëzakonshëm, megjithatë, nëse i kam kuptuar mirë fjalët e trajnerit të kombëtares gjatë bisedave tona, atëherë me siguri që do të marr pjesë në Europian. Madje nuk besoj se situata ime do të ndryshojë".
Në të vërtetë, në kombëtaren gjermane kanë mbetur shumë pak vende për t'u plotësuar. Tim Borovski i Verderit dhe David Odonkor i Seviljas kanë rënë shumë në sy, për shkak të golave dhe formës së mirë të treguar. "Unë do të gëzohesha shumë, nëse do të më thërrisnin për Europianin", u shpreh Borovski, që, ashtu si Odonkori, nuk u thirr nga trajneri Joakim Lëv për miqësoret e fituar 3‑0 kundër Austrisë dhe 4‑0 kundër Zvicrës. Në të njëjtën kohë, edhe Zhërmejn Xhons i Shalkes duket të ketë disa mundësi të mira për t'u thirrur.
G.Puto
Lehman përgëzon Kahnin drejtpërdrejt në TV
Jens Lehman mendoi ta nderonte si një luftëtar të madh rivalin e tij të shumë viteve, Oliver Kahn, që është në prag të tërheqjes nga futbolli. Portieri 38‑vjeçar i Arsenalit telefonoi drejtpërdrejt në emisionin sportiv të ZDF‑së, ku ishte i ftuar portieri i Bajernit, me të cilin konkurruan dy vite radhazi, për vendin e titullarit në portën e Gjermanisë, për Kupën e Botës 2006. "Përshëndetje Oliver! Të lutem më dëgjo. Pak më shpejt se unë, ama ti je edhe pak më i vjetër se unë. Qëndrimi yt ndër vite, duhet ta pranoj, se më ka ndihmuar të mos shpërqendrohem dhe të stërvitem shumë. Gjithmonë kujtoja se, është dikush në Mynih që stërvitej më shumë apo po aq sa unë, për të qenë më i miri. Ky rivalitet më ka ndihmuar shumë gjatë betejës sonë që prej vitit 1998, kur mbërrita në kombëtare, jo vetëm për t'u përmirësuar, por edhe për të përballuar konkurrencën në klub. Për këto arsye, unë të falenderoj dhe të uroj gjithë të mirat për të ardhmen tënde", u shpreh Lehmani, që dje u përfol në mediet britanike se do të mbrojë portën e Aston Vilës sezonin e ardhshëm. 38‑vjeçari Kahn i priti me kënaqësi këto fjalë: "Gjithmonë është folur se sa të këqija ishin marrëdhëniet midis meje dhe Jensit. Ama nuk ka qenë kështu. Kemi biseduar herë pas here për situatën. Eshtë normale, që dy portierë të këtillë të konkurrojnë kaq ashpër. Besoj, se ky duel na ka hyrë të dyve në punë".
G.P