Pas fitores së titullit të 21‑të kampion nga rekordmenët e futbollit gjerman, Bajerni i Mynihut, dhe ditës së shtunë, kur u vendos se Duisburgu dhe Hansa e Rostokut do të luajnë në kategorinë e dytë, vitin e ardhshëm, në sezonin e 45‑të të historisë së Bundesligës mbeten edhe tri çështje për t'u zgjidhur. Në javën e 34‑t e të fundit do të vijnë vendimet e fushave të blerta mbi vendin e nënkampionit të Gjermanisë, që kualifikohet drejtpërdrejt në grupet e Ligës së ardhshme të Kampionëve; për kualifikimin në Kupën UEFA; dhe për emrin e klubit të tretë, që do të luajë vitin tjetër në Bundesligën e dytë.
DUELI PER VENDIN E NENKAMPIONIT
Verder Bremeni dhe Shalke do të duelojnë në distancë për të arritur kualifikimin e drejtpërdrejtë, në konkurrimin më elitar të futbollit europian. Gjermano-veriorët kanë dy pikë më tepër në renditje, si edhe një diferencë më të mirë golash (+8) kundrejt "Bluve Mbretërorë", prandaj klubit nga qytet‑landi i mjafton një pikë në fushën e Bajer Leverkusenit, për ta mbyllur vitin futbollistik pas krahëve të Bajernit dhe përpara Shalkes, që duhet të luajë në fushën e një Nyrembergu, që do të bëjë të pamundurën për të fituar, që të shmangë rënien nga kategoria. Klubi, që do të renditet i treti, do të ketë angarinë e të luajturit në turin e tretë eliminator për Champions, ku asnjëherë nuk është i sigurt suksesi.
UEFA, BETEJE KATERSHE PER DY VENDE
Një kuartet me nga 51 pikë është në luftë të ashpër për dy vendet që lejojnë pjesëmarrjen në Kupën UEFA. Bajer Leverkuseni (diferencë golash +18) dhe Hamburgu (+14) kanë pozitat më të mira në këtë betejë katërshe, si edhe ndeshje relativisht të përballueshme në javën e fundit, pasi do të luajnë respektivisht kundër Verder Bremenit dhe Karlsruhes. Menjëherë më pas vjen Volfsburgu (+10), i cili do të luajë në Dortmund përballë Borusias, por po kaq mundësi kanë edhe kampionët e shkurorëzuar të Shtutgartit (+/‑0), që do të presin në fushën e tyre Arminian e Bilefeldit, që nuk e ka siguruar ende mbijetesën. Vendi i gjashtë në renditje ofron gjithsesi pjesëmarrjen në Kupën Intertoto, ndërsa vetëm vendi i shtatë është i kotë për këto skuadra me pretendime.
DUELI NE DISTANCE PER MBIJETESE
Arminia e Bilefeldit dhe Nyrembergu kanë nisur prej javës së kaluar një përballje në largësi, për të mbijetuar në Bundesligë. Të gjendur në vendin e 15‑të shpëtimtar, bilefeldasit kanë dy pikë më shumë se bavarezët e vegjël. Për ta siguruar përfundimisht qëndrimin, Nyrembergu duhet të fitojë patjetër në shtëpi kundër Shalkes. Nëse ia dalin mbanë, bavarezët duhet të shpresojnë gjithashtu, që Arminia të mos marrë më shumë se një pikë në Shtutgart, në mënyrë që, falë diferencës së golave, të mbijetojnë dhe ta dërgojnë Arminian në Bundesligën e dytë.