Sër Aleks Ferguson pretendoi dje se kundërshtari për titull, Çelsi, do të ndeshet nesër me një skuadër si Boltoni, e cila "ka gjithë javën që feston", ndërsa iu kundërpërgjigj zërave se Mançester Junajtidi do ta ketë të lehtë përballë Uiganit. Meqë dy klubet kryesuese kanë të njëjtën kuotë pikësh, Junajtidi duhet të arrijë, të paktën të njëjtin rezultat si Çelsi nesër për të siguruar titullin e dhjetë të Fergusonit, falë diferencës së golave. Skocezi ndihet ndërkohë tepër i inatosur nga zërat, se të tijtë do ta kenë më të lehtë detyrën. Java është mbizotëruar nga sugjerimet se Vigani, që drejtohet nga ish‑mbrojtësi i Junajtidit, Stiv Brus, do të jetë një kundërshtar tepër i lehtë, pasi e ka siguruar qëndrimin në Premier Ligë. Megjithatë, Fergusoni mendon se përqendrimi i vëmendjes mbi Viganin është i padrejtë, sepse kështu është injoruar fakti se i gjithë klubi i Boltonit nuk ka rreshtur së festuari,
qëkur fitoi kundër Sandërlendit fundjavën e kaluar, duke siguruar mbijetesën. "Njerëzit kanë vënë në dyshim integritetin e Uiganit dhe askush nuk ka pyetur apo përmendur Boltonin, - u shpreh Sër Aleksi me inat. - Eshtë shumë interesante, sepse, nga njëra anë kemi lojtarët e Uiganit, që thonë se dëshirojnë të mposhtin Mançester Junajtidin, gjë që unë nuk e kam problem, sepse jemi ne të mëdhenjtë dhe, nga ana tjetër, dëgjon për futbollistët e Boltonit, të cilët kanë gjithë javën që festojnë. Kjo gjë ma e heq fare trurin, sepse ka një ndryshim të madh në sjelljen e dy skuadrave. Të dyja e kanë siguruar mbijetesën, të dyja ndihen të qeta, por njëra feston dhe tjetra digjet nga dëshira për të luajtur kundër Mançester Junajtidit". Trajneri i "djajve të kuq" përdori shumë tone të ashpra në deklaratat e para, duke u justifikuar më pas në konferencën për shtyp se këtë e bëri për t'i nxitur lojtarët e Boltonit që të luajnë fort nesër në "Stemford Brixh". Skocezi nxitoi më pas të nënvizonte se komentet e tij të para nuk ishin për mungesë respekti ndaj trajnerit të Boltonit, Geri Megson, apo asistentit të tij Arçi Noks, që në të kaluarën ka punuar edhe për Fergusonin. "E vetmja gjë që mendoj për Boltonin dhe që më jep besim tek ata është trajneri dhe asistenti i tij. Unë e pata si ndihmës Arçi Noksin për disa vite tek Abërdini dhe te Junajtidi, e do të dëshiroja që ai të ishte duke luajtur ende, sepse e di që nuk i pëlqen të festojë nga stoli. Jam i sigurt gjithashtu se edhe Geri Megsonit nuk do t'i pëlqente të dëgjonte se futbollistët e tij e kanë mendjen për të festuar, në prag të një ndeshjeje kaq të rëndësishme për kampionat, - tregoi Fergusoni, duke shtuar se - megjithatë, unë kam besim te këta dy djem, që do ta nxitin në maksimum skuadrën e tyre kundër Çelsit. Për sa më përket mua, ne do të shkojmë në Vigan dhe nuk ka fare rëndësi se çfarë thonë lojtarët e Viganit apo ata të Çelsit. Ata kanë arsye për të folur. Ne do të zbresim në fushë, duke pasur një mundësi të madhe për të fituar titullin kampion. Jemi skuadra më në formë, me lojtarë të mirë dhe me mbështetje fantastike." Trajneri i Junajtidit mund ta ketë sërish në dispozicion mbrojtësin serb Nemanja Vidiç, që mori një goditje në fytyrë gjatë ndeshjes së humbur 2‑1 përballë Çelsit. Skocezi shpreson ta ketë gjithashtu Uejn Runin në stol dy javë, pasi sulmuesi u ndal nga dhimbjet në ije, për të cilin nxitoi të saktësonte: "Unë nuk jam shumë i sigurt për Uejnin. Shpresoj ta kem në stol nesër, por e sigurt është se ai do të jetë i gatshëm për finalen e Ligës së Kampionëve".