Mbrojtësi i Realit të Madridit, Serxhio Ramos, i bëri të ditur gazetës "AS" se dëshiron me gjithë zemër ta ketë Raulin me vete në kombëtaren spanjolle për Euro 2008-n. Raul ka kaluar një prej sezoneve më të mira të karrierës së tij këtë vit, duke i nxitur zërat se ai e meriton një vend në kombëtare. Midis këtyre zërave u rreshtua dje edhe shoku i tij te Reali, Serxhio Ramos. "Si mik, si koleg dhe si tifoz, mua do të më pëlqente ta shikoja në Euro 2008, - u shpreh mbrojtësi i krahut të djathtë. - Aragonesi duhet të thërrasë më të mirët, dhe besoj që Rauli mund të jetë midis tyre. Kapiteni ynë është një institucion futbolli dhe vazhdon të japë prova për këtë. Në moshën e tij, ai nuk do ta kishte problem pjesëmarrjen në Europian." Duke kujtuar titullin e sapofituar në Temporadë, mbrojtësi i ri rrëfeu se ndihet tepër i fortë pas fitores 4‑1 kundër Barcelonës. "Ne ndihemi shkëlqyeshëm. Pavarësisht se e kishim fituar titullin, El Clasico është përherë një ndeshje e veçantë, - u shpreh ai. - Për ne ishte e rëndësishme që ta mbyllnim bukur këtë sezon madhështor. A ndihem keq për Barçën? Jo, po them të drejtën! Megjithatë, askush nuk dëshiron të fusë hundët në problemet e të tjerëve, pra as unë." Duke menduar për vitin e ardhshëm, Ramos shpalli synimet e madrilenasve për sezonin tjetër, duke u kujtuar menjëherë për dështimin më të madh: "Duam Ligën e Kampionëve! Vitin e ardhshëm duam shpagim dhe do të përpiqemi që, të paktën të arrijmë në finale".
* Presidenti i Vilarealit, Fernando Roig, e lavdëroi skuadrën e tij që siguroi vendin e dytë të renditjes në Primera, duke regjistruar arritjen më të madhe në historinë e klubit dhe duke u kualifikuar drejtpërdrejt në grupet e Ligës së ardhshme të Kampionëve. "Një ditë unë kam vërtet shpresë që do ta fitojmë titullin, por edhe renditja në vendin e dytë është njëlloj sikur të ishim shpallur kampionë," u shpreh ai.
* Sulmuesi venezuelian i Majorkës, Huan Arango, siguroi dje nënshtetësinë e dyfishtë, duke liruar një prej tri vendeve të klubit për lojtarë pa pasaportë të Bashkimit Europian. Ndërkohë, 25 golat e Daniel Guizës e ndihmuan Majorkën që të regjistrojë numrin më të madh të golave të shënuar ndonjëherë prej saj në kampionat (63), kur mbeten edhe dy javë nga fundi.
* Real Saragoza, që rrezikon të bjerë nga kategoria, nuk do ta ketë mbrojtësin Karlos Diogo kur të presë kampionët e Realit të Madridit. Ish‑lojtari i madrilenasve ka këputur ligamentet e kryqëzuara të gjurit të djathtë dhe nuk do të luajë për, të paktën gjashtë muaj.
* Atletiko i vendit të katërt mund ta sigurojë vendin në Ligën e ardhshme të Kampionëve, duke fituar nesër në "Visente Kalderon" kundër Deportivo La Korunjës. Ata nuk do të kenë shërbimet e mbrojtësit të pezulluar Luis Perea.
* Mesfushori i Seviljas, Sejdu Keita, pritet të rikthehet në derbin e qytetit kundër Real Betisit, ndërsa kryegolashënuesi i këtyre të fundit, Edu, u riaftësua pas problemeve në muskuj dhe është i gatshëm.
Primera Divizon, java e parafundit
Nesër
(21:00) Almeria ‑ Rekreativo
(21:00) Bilbao ‑ Santander
(21:00) Atletiko M ‑ Deportivo
(21:00) Barcelona ‑ Majorka
(21:00) Betis ‑ Sevilja
(21:00) Levante ‑ Valencia
(21:00) Osasuna ‑ Mursia
(21:00) Valadolid ‑ Getafe
(21:00) Vilareal ‑ Espanjol
(21:00) Saragoza ‑ Real Madrid
Renditja
1.Real M263779-3281
2.Vilareal225959-4071
3.Barcelona1810869-3764
4.Atletiko M1871164-4461
5.Sevilja1841469-4858
6.Santander1681241-4156
7.Majorka1314963-5053
8.Deportivo1571446-4452
9.Bilbao13101339-3949
10.Almeria13101339-4249
11.Espanjol1391442-4848
12.Betis12101444-4846
13.Getafe1291544-4745
14.Valencia1361740-6045
15.Valadolid11101541-5643
16.Saragoza10111546-5641
17.Osasuna1171835-4240
18.Rekreativo10101637-5940
19.Murcia792032-5830
20.Levante752429-6426