Ksavi Hernandez rrëfeu dje para medieve se lojtarët e Barcelonës ndihen fajtorë për largimin e urdhëruar të Frenk Rajkardit, pas dështimit të skuadrës për të fituar ndonjë kupë për të dytin sezon radhazi. Në të njëjtën kohë, katalanasi i uroi mirëseardhjen Pep Guardiolës. Organizatori i Barçës foli dje, pasi u mor vesh vendimi për zëvendësimin e trajnerëve, dhe bëri të ditur se nuk i duhet mëshuar më faktit që Barcelona është në krizë. Rajkardi do të largohet pas pesë vitesh në detyrë, meqë klubi dëshiron të ndryshojë, do ta ngrejë në detyrë Guardiolën, nga roli i tij i deritanishëm si trajner i skuadrës së dytë. "Ne lojtarët ndihemi shumë fajtorë për gjithçka të ndodhur, sepse mendojmë që mund të kishim bërë më tepër, për të mos arritur deri këtu, - shpjegoi Ksavi. - Megjithatë, kurrë nuk ka pasur mungesë angazhimi apo profesionalizmi. Gjithkush është përgjegjës për këtë situatë, pavarësisht se fajtorët kryesorë janë lojtarët. Bordi bëri gjithçka mundi dhe ne kemi disa lojtarë të mëdhenj, por nuk patëm ndonjë skuadër të madhe. Klubi ynë nuk mund të rrijë dy vite pa fituar asgjë, prandaj është e drejtë të thuhet se jemi në krizë. Para ca kohësh ishte ndryshe, por duket sikur ju të shtypit e parandiet këtë. Ne kemi dhënë maksimumin tonë dhe arritëm në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Mbretit, por në kampionat nuk e përmbushëm dot pritshmërinë. Nuk më pëlqen të flas për dështim, por për një sezon të dobët." Ksavi kishte vetëm fjalë të mira për Rajkardin, duke besuar se holandezi do të mbahet mend gjatë për suksesin që i solli klubit. "Ai meriton gjithë të mirat. Frenku i trajton njerëzit në mënyrë të mrekullueshme, flet hapur, është i sjellshëm dhe askush nuk do të mund t'i bënte atij keq. Ai është shembull për të gjithë, si trajner dhe si njeri. Pa dyshim që ka lënë shenjë në skuadër. Nëse do të kishim fituar diçka, ai do të kishte qëndruar kështu. Futbolli nuk është i drejtë, por kështu funksionojnë gjërat," u shpreh lojtari nga Terrasa.