Kushedi se çfarë është duke menduar Pep Guardiola në këto çaste! 37‑vjeçari, ish‑kapiten i Barcelonës, është në prag të marrjes së detyrës së tij të parë të madhe si trajner, sepse do të kalojë nga një skuadër e kategorisë së katërt në atë që, dy vite më parë u shpall kampione e Europës. Megjithatë, organika që po i lënë në dorëzim dhe që pardje u fishkëllye në aeroport e që u detyrua të stërvitej me dyer të mbyllura është në grahmat e fundit të jetës. E dërrmuar, e zbrazur dhe pa asnjë interes!
ZYRTARE ‑ Në përfundim të një mbledhjeje të bordit drejtues që zgjati pesë orë, presidenti i katalanasve, Hoan Laporta, zyrtarizoi pardje atë që ishte vendosur pasditen e së hënës: "Në fund të sezonit Frenk Rajkard do të zëvendësohet nga Josep Guardiola!". Laporta nuk e bëri të ditur kohëzgjatjen e kontratës së "Pepes" dhe nuk pranoi të fliste për lojtarë, as për dështimin e dytë sezonal radhazi: "Do të kemi kohë për t'i analizuar gabimet dhe për të dhënë shpjegimet e rastit". Ai e pranoi se nuk ishte në gjendje që të gjente ndonjë defekt te Rajkardi: "Ai zhvilloi një punë të përkryer dhe është sjellë në mënyrë të shkëlqyer. Ne do ta mbajmë mend si trajnerin që e rinovoi skuadrën dhe që na solli lavdinë e Parisit. Duhej t'i kishim korrigjuar gabimet e vitit të kaluar dhe të arrinim rezultate, por këto dy gjëra nuk u realizuan. Rrjedhimisht, u mbyll cikli".
FUNDI I CIKLIT ‑ Eshtë e vështirë të mendosh që duhet revolucion për një skuadër që vjet u shtua me gjashtë lojtarë të rinj, dy nga skuadrat zinxhir (Dos Santos e Bojan) dhe katër që u blenë më shumë se 80 milionë euro (Henri, Milito, Ture dhe Abidal); për një organikë me vetëm pesë lojtarë më të vjetër se 30 vjeç (Zambrota, Edmilson, Silvinjo, Tyram dhe Ezkerro), prej të cilëve vetëm njëri është titullar. Ama, të mërkurën mbrëma, pas shpartallimit 4‑1 të pësuar në "Santiago Bernabeu", Barcelona humbi fytyrën, dinjitetin dhe vendin e dytë. Më 12 apo 13 gusht duhet të jetë me ritëm të plotë, sepse do të luhet turi i tretë eliminator për në Ligën e Kampionëve, që duhet kapërcyer me sukses. Me siguri që drejtuesit katalanas e kanë thirrur Pepen në përpjekje për të arnuar, kontrolluar dhe mbytur sulmin e medieve, që ditët e fundit e kanë ashpërsuar tonin e tyre, duke përdorur pa kursim fjalë si "turp" e "qesharake", të shoqëruara me "të therur me thikë", "çnderim", "dështim" e kështu me radhë.
LISTA E MURINJOS ‑ "Besojmë te Guardiola, për drejtimin e projektit të ri, - u shpreh Laporta. - Ai është një emër që siguron vazhdimësinë e atyre idealeve që na kanë sjellë suksese deri tani." Pepe u parapëlqyer ndaj Murinjos, që kërkonte kontrollin absolut mbi gjithçka, 5 milionë euro neto në sezon plus dy milionë nga shpërblimet, tre bashkëpunëtorë të paguar me nga një milion secili, mjekë, vëzhgues, si dhe një person që do të paguhej për të parë dvd‑të. Barcelonës nuk ia mbajti dhe i besoi një joeksperti, si Guardiola. "Pep, përgatit kamzhikun, - shkroi dje "El Mundo Deportivo, - sepse nuk do të jetë e lehtë!"