Kastrioti i Krujës ka arritur ta ndalë serinë e rezultateve pozitive të Shkumbinit në javët e fundit, duke fituar 1‑0 në ndeshjen e zhvilluar në fushën e Shijakut. Ka mjaftuar një mundësi e vetme e Rizvanollit gjatë 90 minutave për ta shfrytëzuar, duke gjuajtur saktë në drejtim të portës së Llanit, për të shënuar të vetmin gol të ndeshjes. Gjithsesi, për krutanët ishte një gol me shumë vlera, pasi u jep qetësinë e duhur për dy ndeshjet e mbetura, kur i mjaftojnë vetëm tri pikë për të shpëtuar nga rënia e drejtpërdrejtë në kategorinë e parë. Duhet thënë se ishte një fitore e merituar e Kastriotit përballë një Shkumbini që në fushën e Shijakut të shtunën e kaluar ishte shumë lart paraqitjeve të bëra në javët e fundit. Ekipi i Maganit nuk diti ta shfrytëzojë në favorin e vet faktin që luhej në një fushë asnjanëse, duke e pasur formacionin të plotë përballë një ekipi me probleme e me mungesa futbollistësh në formacion për të përfituar dhe për t'u ngjitur më lart në renditje. Nisur nga rezultatet e pritshme të Vllaznisë dhe të Tiranës, Shkumbini humbet shansin të kapë vendin e 5‑të në tabelën e renditjes, gjë që do të përmbushte dhe objektivin që ka ekipi për këtë sezon. Ndryshe nga objektivi i vënë përpara takimit dhe deklaratave të futbollistëve e drejtuesve për rezultat pozitiv me Kastriotin, 90-minutëshi i këtij takimi la shumë për të dëshiruar, duke i zhgënjyer sportdashësit peqinas. Futbollistët që në fillim e morën shumë lehtë takimin, duke mos e pasur impenjimin e duhur në fushë, duke rënë që në fillim në nivelin e lojës së kundërshtarit. Ka qenë një pjesë e parë mjaft e varfër për të dy ekipet me gabime të shumta dhe e zhvilluar vetëm në sektorin e mesit të fushës. Për 30 minuta nuk u pa asnjë rast për t'u përmendur në portat e të dy ekipeve që tregon dobësinë sidomos në repartin e sulmit. Nëse kjo lojë u interesonte krutanëve, për vetë gjendjen që ata kalojnë, kjo ishte e pajustifikueshme për Shkumbinin që luan me formacionin më të mirë dhe për më tepër ishte tepër e qetë e nuk rrezikonte asgjë. Të zhgënjyer nga loja e Shkumbinit kanë mbetur edhe drejtuesit, të cilët në forma të ndryshme kanë reaguar gjatë lojës me ndërhyrjet e bëra, por edhe në përfundim të saj. Për zëvendëstrajnerin Branica, ekipi në Shijak të shtunën ishte larg asaj që iu kërkua të bënte. Ai e shpreh hapur pakënaqësinë për lojën e ekipit dhe rezultatin në përfundim të saj, pa qenë në gjendje ta shpjegojnë si duhet përgjumjen e ekipit. Branica hedh poshtë në mënyrë kategorike që ekipi i tij ka toleruar kundërshtarin për ta ndihmuar. Për Branicën, puna e bërë gjatë javës ka qenë mjaft e mirë, por edhe motivimi përpara ndeshjes nga ana e presidentit nuk ka munguar, ashtu si edhe në takimet e tjera. "Nuk jam i kënaqur aspak nga loja që zhvilluan futbollistët në takimin me Kastriotin në Shijak," - do të ishte konkluzioni i Branicës pas ndeshjes, duke mos e fshehur pakënaqësinë e tij për humbjen e pësuar. Edhe 24 orë pas takimit i qëndron mendimit që ekipi luajti dobët, duke humbur një ndeshje më tepër për dobësi të Shkumbinit sesa për meritë të kundërshtarit. "Kemi humbur një mundësi të mirë për t'u ngjitur në vendin e 5‑të, por kemi humbur edhe premiot e vëna nga presidenti Ismaili për këtë takim. Nuk jam në gjendje ta shpjegoj, sepse motivimi ynë dhe i presidentit nuk mungoi as në këtë ndeshje," - saktëson jo pa keqardhje zëvendësi i trajnerit Magani, Sokol Branica, i cili nuk harron të përsërisë edhe gjykimin e këtij takimi, që, sipas tij, la për të dëshiruar.
Ali Hallulli