Nga 5-8 maj, mesfushori i Partizanit Gjergji Muzaka ka kryer një provë te skuadra franceze e Nantës. Sipas informacioneve të para që vijnë nga sajti i skuadrës franceze dhe vetë lojtari, mësohet se prova e parë e Muzakës me Nantën ka ecur mirë, por asgjë nuk ka marrë trajtë përfundimtare. Në prononcimin e djeshëm për "Sportin shqiptar", mesfushori i kuq ka pohuar se "telenovela" me ekipin francez do të vazhdojë dhe gjasat janë se gjithçka të shkojë në favor të lojtarit. Momentalisht Nanta është e dyta në ligën e dytë franceze, por për sezonin e ri e ka siguruar pjesëmarrjen në ligën e parë. Gjergji Muzaka është akoma pjesë e Partizanit dhe 23-vjeçari është shprehur dje se nuk do ta heqë fanellën e kuqe pa u shpallur kampion. "Në fillim të kësaj jave pata mundësi të udhëtoja në Francë dhe për tri ditë kreva një provë tek ekipi i Nantës. Mendoj se si provë e parë ka kaluar mirë dhe si unë, por edhe drejtuesit e skuadrës franceze kemi mbetur të kënaqur nga ky kontakt i parë. Them kështu, pasi nuk ishte koha e mjaftueshme për të krijuar një mendim të plotë, prandaj "telenovela" ime me Nantën do të vijojë edhe në javët në vazhdim. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë dhe të realizohet ëndrra ime për të luajtur në një kampionat me nivel të lartë futbolli, siç është Franca.Megjithatë, për një gjë jam i sigurt, se nuk largohem nga Partizani pa fituar titullin kampion. Tani vërtet jemi pranë fitimit të titullit, por edhe po s'e fituam këtë sezon, që do Zoti të mos ndodhë kështu, përsëri nuk do të largohem nga "demat e kuq" pa e fituar titullin. Pra, Muzaka do të largohet nga Partizani vetëm si kampion,"- u shpreh dje për "Sportin shqiptar" 23-vjeçari Gjergji Muzaka. Në këtë sezon, forca e numrit 17 është ndier te Partizani, pasi, përveç nëntë golave të shënuar, Muzaka ka qenë një katalizator i aksioneve të skuadrës.
"Demat" janë përgatitur që të bëjnë "detyrat" edhe ndaj shkodranëve, pasi nuk ka vend për frenim. Edhe gjatë ditës së djeshme, në kampin e kuq flitej vetëm për fitore, sepse tripikëshi me Vllazninë ka shumë domethënie në rrugën drejt kurorës së kampiones. Të mërkurën shkodranët fituan Kupën e Shqipërisë, fakt i cili e ka rritur më shumë mobilizimin te skuadra e kuqe. Puna e kryer në seancat stërvitore pritet të shpërblehet në fushën e lojës dhe për këtë gjë trajneri Hasan Lika do të hedhë një formacion sulmues. Ndërsa mesfushori Muzaka, i cili është bashkuar dje me grupin, do ta nisë takimin nga stoli, duke i lënë hapësirë vlonjatit Arbër Abilaliaj.
Ilir CARA