Skuadra e Turbinës ka ditë që është përgatitur për ndeshjen e sotme me Dajtin, teksa kjo është vërejtur nga seancat stërvitore, por edhe nga impenjimi që i kanë kushtuar drejtuesit e klubit. Sakaq, mësohet se objektivi i futbollistëve cërrikas, me në krye trajnerin Metani, është marrja e tri pikëve, çka do ta përmirësonte ndjeshëm pozicionin e Turbinës në renditje. Optimizmi për fitoren e sotme ndihet shumë edhe te sportdashësit, të cilët duket se janë qetësuar disi pas fitores që Turbina arriti me Tepelenën në transfertë. "Ne kemi shanse që në ndeshjen e sotme të marrim tri pikë, pasi grupi i futbolllistëve është i motivuar për një fitore të pastër në fushën tonë. Pa dyshim, përveç tri pikëve, Turbina ka mundësi të përmirësojë imazhin e saj, duke u klasifikuar në mes të tabelës. Mendoj që të gjithë ndihemi të sigurt për fitoren e sotme," - është shprehur për "Sportin shqiptar" mbrojtësi kryeqytetas Erion Lleshi. Nga ana tjetër, mësohet se skuadra cërrikase do të luajë me formacion të plotë, sepse sulmuesi Armando Sadiku ndihet i gatshëm të luajë në ndeshjen e sotme pas një dëmtimi të lehtë. Ndërkaq, drejtuesit më të lartë të klubit janë duke organizuar një hapje të veçantë të ndeshjes në stadiumin "Nexhip Trungu", duke i bërë homazhe ish-donatorit të Turbinës, Artan Mici, i cili humbi jetën në një aksident automobilistik. Ai do të kujtohet nga sportdashësit e shumtë cërrikas si nismëtari i ngjitjes së Turbinës në kategorinë e parë, por edhe si një tifoz i zjarrtë i saj. "Ne do ta fitojmë ndeshjen e sotme dhe do t'ia dedikojmë Artanit këtë fitore. Tashmë ekipi i Turbinës është konsoliduar si një ekip që e meriton këtë kategori, pasi për të arritur deri këtu është bërë një punë e madhe nga të gjithë drejtuesit. Unë kam besim se gjatë sezonit të ardhshëm Turbina do të bëjë një prezantim më dinjitoz, duke pretenduar më lart," - ka përfunduar Lleshi, i cili iu bashkua Turbinës gjatë fazës së dytë, duke dëshiruar të jetë pjesë e saj edhe sezonin e ardhshëm.
Artan PAJA