Gjatë gjithë kësaj jave është trumbetuar shumë ndeshja që Elbasani do të luajë kundër Teutës në "Niko Dovana", si një ndeshje "jetike" për skuadrën e drejtuar nga trajneri Krenar Alimehmeti. Madje lojtarë të skuadrës së Elbasanit, por edhe nga stafi teknik e kanë cilësuar këtë 90-minutësh si vendimtar në lidhje me arritjen e vendit të tretë. Në fakt, duket se një takim i tillë është fryrë disi në media, gjë të cilën e deklaron edhe kapiteni i skuadrës elbasanase, Julian Ahmataj, i cili ka kaluar shpesh në karrierën e tij ndeshje të tilla. Për Julin, Teuta është vetëm një takim i radhës dhe se ndeshje të tilla ka pasur shumë gjatë këtij sezoni: "Ka ndodhur shpesh gjatë këtij sezoni që ndeshje të ndryshme tonat të titulloheshin si "jetike" apo për "jetë a vdekje". Kështu ka ndodhur sa herë që kemi luajtur me Tiranën, Partizanin apo Dinamon, pse jo edhe në ndeshjet e kupës. Unë do të thoja gjithsesi se të gjitha takimet kanë rëndësinë e vet në kampionat. Që nga java e parë e deri në të fundit, çdo ndeshje vlen tri pikë dhe askush nuk mund të nënvlerësojë apo të mbivlerësojë asnjë ndeshje," - ka deklaruar futbollisti i njohur elbasanas, i cili pas një kampionati të nisur në mënyrën më të keqe, duke i qenë i pafat dhe duke u dëmtuar, tashmë ka kapur një formë optimale. "Ka edhe shumë keqardhje në një kampionati si ky i këtij viti. Them kështu, pasi në realitet nuk kam pasur mundësi të jap gjithnjë më të mirën për ekipin tim. Isha i pafat në këtë sezon, duke qenë se u dëmtova që në javën e parë. Kuptohet, duke qëndruar disa javë jashtë fushave ishte shumë e vështirë të kapja ritmin e shokëve të skuadrës. Madje në në kohën kur fillova ta merrja veten, pata probleme të tjera me dëmtimet. Për këtë më vjen keq dhe sigurisht edhe për faktin se kështu si unë ka pasur disa lojtarë të tjerë, të cilët nuk arritën të zhvillonin kurrë një kampionat shumë stabël. Natyrisht, këto probleme ndikuan shumë edhe në rendimentin e ekipit, pasi ekipet shqiptare, që të jemi realistë, nuk e kanë ende luksin të luajnë të qetë dhe të mos shqetësohen edhe kur dëmtohen dhe mungojnë tre apo katër lojtarë me eksperiencë dhe titullarë. Veç të tjerave, mendoj se në disa takime mund dhe duhet të kishim marrë më shumë dhe për këtë është skuadra që duhet të mbajë përgjegjësi. Megjithatë, tani është mirë që të mos i mendojmë më ato që kanë ndodhur në këtë kampionat, por të mendojmë të dalim sa më mirë në ndeshjen e radhës," - ka shpjeguar kapiteni i verdhebluve, Julian Ahmataj, i cili rikthehet të flasë për takimin e radhës kundër Teutës, i cili, sipas tij, është një ndeshje e ekuilibruar. "Ne kemi një disavantazh që luajmë në transfertë, që gjithsesi nga ana tjetër mund të kthehet në favorin tonë, sepse ne jashtë fushe luajmë më të çlirët dhe kemi marrë rezultate të mira në kampionat. Gjithsesi, e thashë edhe më lart, që do të shkojmë të bëjmë lojën tonë dhe më pas të shohim se cili do të jetë verdikti i fushës," - ka pohuar në fund mbrojtësi i skuadrës së Elbasanit, Julian Ahmataj.
Ervin SINA